Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë ka thënë se politika e Perëndimit dhe e qeverisë ukrainase është të shpërbëjë Ukrainën.

Deklarata e Nikolai Patrushevit është një paralajmërim i ri se Rusia dëshiron ta ndajë Ukrainën në shtete më të vogla, për të cilën Moska do të përpiqet të akuzojë kundërshtarët e saj.

Duke folur për gazetën qeveritare Rossiyskaya Gazeta Patrushev, aleati i presidentit rus Vladimir Putin, tha se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur prej vitesh të nxisin urrejtje ndaj gjithçkaje ruse në Ukrainë.

“Por historia na mëson se urrejtja nuk mund të bëhet kurrë një faktor i besueshëm në unitetin kombëtar”, tha ai. “Nëse diçka i bashkon njerëzit në Ukrainë, është frika e krimeve të kryera nga batalionet nacionaliste”, shtoi Patrushev. Ai i referohej forcave ukrainase që Kremlini i quan naziste, raporton theguardian.

Prandaj, rezultati i vetëm i politikës së Perëndimit dhe Kievit mund të jetë shpërbërja e Ukrainës në disa shtete, përfundoi Patrushev.

Komentet e Patrushev, pothuajse nëntë javë pas fillimit të pushtimit, janë treguesi më i fundit se Moska nuk dëshiron ta pushtojë Ukrainën, por ta ndajë atë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: