Juventusi bëhet gati për sfidën e radhës në kampionat kundër Fiorentinës, përballje që mund të sjellë titullin kampion, por në shtëpinë bardhezi tema është tjetër, pasi dështimi i radhës në Champions League djeg shumë. “Mund të thuhet gjithçka dhe e kundërta e gjithçkaje. Ardhja e Ronaldos nuk është matematikë dhe futbolli nuk është një shkencë ekzakte. Në këto ditë po mësoj shumë, shumë po shpjegojnë futbollin, unë marr shënime nga të gjithë dhe pastaj vitin tjetër nëse arrijmë në çerekfinale mund të rilexoj atë që është thënë dhe shkruar. E rëndësishme është të dëgjosh ata që shpjegojnë futbollin. Juventus luan çdo vit për të provuar të fitojë gjithçka, në Champions kemi luajtur, kemi humbur dhe jemi kthyer në shtëpi,” tha trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri në konferencë, që më pas kërkon t’i vendosë kapak këtij diskutimi.

“Diskutimet për Championsin tani nuk vlejnë më, ka mbaruar dhe mjaft. Rezultati cili është? Jemi kthyer në shtëpi. Ajo që është shkruar për Ronaldon, konfirmon se Ronaldo+Juventus nuk do të thotë Champions i sigurt. Nuk mërzitem nga loja e bukur, reflektoj gjithmonë atë që mendoj. Ne të martën kemi luajtur më mirë se në Amsterdam, por katër topat e humbur si pula bëri të dukej që Ajaksi të ishte më i fortë se ndeshja e parë, kur në fakt atje kishte luajtur më mire,” theksoi ndër të tjera trajneri bardhezi, që e sheh të ardhmen e tij në krye të stolit të Juventusit edhe për sezonin e ardhshëm, pavarësisht se do të jetë viti i fundit i kontratës.

“Për kuriozitet pas ndeshjes e kam parë ndeshjen edhe dy herë të tjera dhe konfirmova atë që kisha parë nga pankina. Duhet ta vlerësoj vitin me shumë kthjelltësi dhe largësi, duhet të jesh i kthjellët dhe cinik në vlerësimin e sezonit dhe lojtarëve. Nuk është se duhet të bësh shumë gjëra. Një rezultat negativ nuk e ndryshon punën e bërë, unë them që është bërë një punë e madhe. Do të qëndroj vitin tjetër edhe pa rinovimin,” përfundoi fjalën e tij Maks Alegri.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb