TIRANE

Stina e pranverës favorizon alergjitë por në një kohë pandemie të Corona virusit dyshimet janë të mëdha. Shqetësimet rriten kur kemi tështitje apo kollë, por këto nuk janë gjithmonë COVID. Specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja në komunikimin e përjavshëm me Skype në “Vila 24” moderuar nga Androniki Kolka në “News 24” tha se dallimi thelbësor është temperatura. Ky tregues na ndihmon të kuptojmë nëse jemi prekur nga virusi apo një alergji stinore. Duke radhitur shenjat tipike të një një viroze, Merja bën të ditur se një kollë e thatë, e shpeshtë, shoqëruar shpesh edhe me sputul, temperaturë dhe djerësitje janë sinjale të organizmit të infektuar.

“Alergjitë nuk japin temperaturë”,-sqaron Merja duke shtuar se njerëzit shpesh bëjnë gabime duke marrë antibiotikë dhe nuk e lënë organizmin të aktivizojë antitrupat për të rritur në mënyrë natyrale rezistencën. Më tej ai paraqet dy grupet më të mëdha të alergjive siç janë ato nga poleni i luleve apo myku. Në rastin e poleneve, Merja thotë se kjo lloj alergjie prek persona me imunitet të dobët të cilët janë të ndjeshëm kur nga pemët a lulet shkëputen grimca rrëshirore që gjatë dimrit mbështjellin sythat e më pas shpërhapen në ajër duke u thithur nga rrugët e frymëmarrjes. Koha më e rënduar nga alergjitë e poleneve është muaji prill deri afër mesit të majit.

Trajtimi natyral bëhet me rritje imuniteti duke përdorur propolis blete, propolis me rigon apo çajëra të ndryshme me ekinacia. Grupi tjetër i alergjivë mykotikë sipas Merjas shkaktohet nga kërpudhat që krijohen nga lagështira në ambientet ku ne jetojmë. Në këto raste duhet të kontrollojmë me kujdes gjuhën, ngjyrën dhe strukturën e saj. Po kaq kujdes duhet të tregojmë edhe me alergjitë që krijohen nga parazitët të cilët futen në organizëm.

Lambia kryesisht jep reaksione të ndryshme pasi jashtëqitjet e saj benda organizmit tonë dalin nga lëkura dhe na krijojnë kërruarje të mëdha deri në çarje e dëmtime duke rrezikuar më pas edhe stafilokok. Ndërhyrja më urgjente janë kompresa me ujë të ftohtë, apo uthull molle e holluar me ujë. Po ashtu ai rekomandon edhe trajtimin me propolis me rigon, vaj dafine apo edhe çajëra antimykotikë. Për persona që vuajnë nga alergjia e syvë sugjeron të shmangin daljet e shpeshta në kohën kur smogu është më i dendur.

Sa u përket fëmijëve dhe alergjisë, Merja këshillon të kontrollohet gjuha për myk apo të ndiqen ndërsa janë në gjumë mos kanë kërcitje dhëmbësh, zhurmë në bark apo kapsllëk. Në rast lambje pastrohen kërruarjet me ujë të ftohtë dhe kur kemi të bëjmë me alergji të rrugëve të frymëmarrjes, vendosim pak vaj dafine mes buzës e hundës dhe disa pika në dërrasën e kraharorit. Përveç tështitjes si mënyrë natyrale për të nxjerrë trupat e huaj të futur në organizëm, po ashtu sugjerohen të përdoren çaj trëndafili i egër, ekinacia, hithra, çaj rigoni, mendër se qetëson zorrët dhe 5-6 pika propolis. Sa i përket ushqimeve të dëmshme tek alergjitë janë produktet me fermente pasi kanë në përbërje maja, po ashtu duhen shmangur kosi me fruta, djathi dhe bulmetërat. Për të lehtësuar efektin e këtyre ushqimeve, duhet shpërlarë goja me ujë pas ngrënies. Në kohë alergjie na vijnë në ndihmë qumështi i bletës, vitamina C, propolis me rigon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb