Mjekja alergologe Mirela Hasanaj

Pse disa persona kanë vetëm alergji sezonale?

Alergjitë i kemi gjithëvjetore dhe stinore. Alergjitë stinore janë alergjitë që shkaktohen nga poleni I pemëve dhe periudhën e polenizimit e hasim tre herë në vit, por periudha më e madhe është periudha që nis nga Marsi gjer në fund të Majit. Për shembull, ka persona që janë alergjik nga poleni i kumbullës së egër, nga poleni i plepit, nga poleni i mimozave që tashmë ka çelur. Këta persona vijnë me një kollë të thatë laringiale. Kurse gjithëvjetore janë ato që shkaktohen nga pluhuri kryesisht, por edhe nga disa lloje bimësh, si pema e ullirit, e cila lulëzon gjatë gjithë viti, dhe ka persona të cilët janë alergjik ndaj polenit të saj, ndaj futet tek alergjitë gjithëvjetore njësoj si ato që janë nga pluhuri dhe myku.

Çfarë duhet të bëjnë këta persona?

E para, këta persona, nëse kalojnë gripe të vazhdueshme njëri pas tjetrit dhe nuk predominohen nga mjekimet që marrin, nga mjeku i familjes ose nga mjeku pediatër për fëmijët, atëherë të drejtohen tek mjeku alergolog, specialist.

Dhe e dyta, që është tepër e rëndësishme, të mos fillojnë asnjëherë mjekim nëse nuk diagnostikohen. Diagnostikimi konstaton në provë gjaku normale. Nëse kemi një alergji ushqimore, prova kutane për pneomo dhe tropo alergji. Pra prova kutane, testimi në lëkurë dhe për ajrorët dhe për ushqimorët.

Pasi e kemi diagnostikuar fillohet mjekimi, i cili është tepër specifik. Një person nuk mund të quhet i mjekuar për alergji me një muaj trajtim, por duhet të vazhdojë për një periudhë të gjatë kohore, shoqëruar me analiza të herëpashershme tek mjeku specialist.

A mund të shoqërohet me komplikacione të tjera?

Komplikacioni me i madh i një riniti alergjik është astma bronkiale e cila përveç se është sëmundje kronike,ka dhe një kosto të lartë financiare për pacientin i cili nëse diagnostikohet, duhet të ndiqet gjatë gjithë jetës së tij, ashtu si një pacient me hipertension arterial që merr ilaçe gjatë gjithë jetës.

A mund të flasim për një ndarje meshkuj-femra dhe cila është mosha që preket më shumë?

Moshat që preken më tepër janë nga mosha 6 deri në moshën 15 vjeç, atëherë kur rritja e organizmit ka përfunduar dhe fillon periudha e puberteti që është faza e dyte e rritjes dhe imuniteti është pak më dominant sepse futet dhe ana hormonale në mes dhe kemi një zhvillim më të hapur dhe më të shpejtë të sëmundjeve alergjike. Për sa i përket gjinisë, gjinia femërore është më e prekur se gjinia mashkullore shkruan shendeti.com.

Sipas statistikave pediatrike botërore një në katër fëmijë vuan nga alergjia. Gjithashtu me statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo vit alergjia rritet me 5% . Pra kemi një rritje sa mund të themi që sëmundjet alergjike po zënë vendin e dytë në botë pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Një këshillë për të shmangur alergjitë e pranverës?

Këshilla e parë është vetëm diagnostikimi, sa më shpejt ta diagnostikosh aq më shpejt e shmang dhe pasojën e alergjisë. Gjithashtu i këshilloj të mjekohen me preparatet e duhura, pasi për ta shmangur nuk ka asnjë mënyrë për aq kohë sa është sëmundje e trashëguar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: