Ajo është një nga yjet e dirigjimit botëror, një femër karizmatike dhe sharmante, me një karrierë marramendëse. Alevtina IOFFE, prej 12 vitesh drejton orkestrat gjigande të teatrove më në zë të gjithë botës. Baketa e parë ruse, është një prej personaliteteve më me influencë në muzikë në vendin e saj, kjo falë eksperiencës internacionale që tek drejtimi i Orkestrës Kombëtare Filarmonike të Rusisë, Orkestrës së Torontos, në Teatro si “Oldenburg State Orchestra” në Gjermani, “Champs-Elesees Theatre”, “Theatre Coliseum” në Londër, etj.

Ndër kulminacionet e karrierës së saj mund të përmendim dirigjimin e një prej kompeticioneve më famozë në botën e muzikës operistike, si “Operalia” në Moskë, përkrah maestros Placido Domingo. Dirigjente dhe drejtore artistike “Moscow State Opera and Ballet, Natalia Sats”, për herë të parë ajo vjen në Shqipëri, si anëtare e jurisë në edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar “Marie Kraja”.

– Vjen për herë të parë në Shqipëri në një festival ndërkombëtar operistik, cilat janë pritshmëritë e tua për këtë event?
Është e vërtetë, që vij për herë e parë në Shqipëri. E kam mirëpritur ftesën në këtë festival. Të them të drejtën, kam qenë disa herë në Itali duke drejtuar disa orkestra, por asnjëherë nuk më është dhënë mundësia të vij në Shqipëri. Dhe jeni kaq afër! Prej miqve të mi në Itali kam dëgjuar për Shqipërinë, edhe për Festivalin “Marie Kraja” që ka një reputacion shumë të mirë operistik. Di gjithashtu dhe që historia e muzikës operistike shqiptare është mbështetur në traditën e operës ruse, kjo më gëzon dhe më bën ta ndjej më pranë. Si anëtare jurie në festival, pres të dëgjoj këngëtarë të talentuar dhe me vokale cilësore, që do të konkurrojnë fort më njëri-tjetrin. Mbi të gjitha pres të dëgjoj muzikë shumë të mirë, të kuruar në çdo detaj.

– Ke punuar me Placido Domingon për një kompeticion shumë të rëndësishëm si “Operalia” në Moskë. Si është të punosh me një ndër yjet e skenës operistike botërore?
Ka qenë një eksperiencë vërtet shumë e bukur. Të punosh me personalitete të nivelit të Placido Domingo është vërtet një kënaqësi. Ai është një natyrë shumë karizmatike, plot pasion, që pëlqen të punojë me njerëz të rinj dhe të shkëmbejë ide dhe përvojë. Dashuria e madhe për operën, që ndjemë të dy, ishte çelësi për suksesin tonë në punë.

– Drejtoni dhe punoni në “Moscow State Opera and Ballet, Natalia Sats”, një institucion i fokusuar tek audienca e re, sa i rëndësishëm është edukimi i brezit të ri me muzikë klasike?
Për gjithçka në jetë, edukimi fillon që në fëmijëri. Kështu mendoj se është dhe ne muzikën klasike. Fëmijët duhet të dëgjojnë dhe të njohin veprat klasike. Këto të fundit, sigurisht që vijnë në skenë të përshtatura nëpërmjet efekteve të veçanta për fëmijë. Një shfaqje operistike për fëmijë, përzgjidhet me kujdes. Në të bashkohen elementët e skenografisë, kostumografisë dhe elementët e tjerë skenikë, që tingujt e gjinisë klasike të vijnë sa më natyrshëm. Një brez ushqyer me muzikë klasike, është një brez më e pakta më i edukuar. Një brez i ardhshëm, tek i cili ka investuar një pjesë të traditës tënde si vend, por dhe asaj botërore.

– Paraqitja juaj, ose fakti që jeni femër ju ka penguar ndonjë herë në karrierën tuaj në dirigjim?
Nuk mendoj se bota e muzikës klasike është e ndarë në bazë të gjinisë. Kam pasur një profesor në konservator që më thoshte se do të kisha probleme një ditë, do të kisha një familje, një fëmijë, që nuk do të ishin të dobishme për punën time. Tani unë i kam të gjitha, familje dhe fëmijë, të cilat janë burim frymëzimi dhe mbështetje për karrierën time të mirë.

– Puna e dirigjentit është vërtet e lodhshme fizikisht, kërkon orë te gjata qëndrimi në këmbë, lëvizja e duarve, etj. E ndjen këtë aspekt në fizikun tënd?
Në fillimet e mia, në aspektin fizik ka qenë e vështirë të dirigjoja. Ndonjëherë isha shumë e lodhur. Veçanërisht kur isha e re dhe duket të dirigjoja “Liqenin e Mjelmave”, ishte e lodhshme për krahët dhe për shpinën. Kishte ditë që nuk ngrihesha dot nga krevati. Por me kalimin e kohës gjithçka përmirësohet dhe bëhet diçka e nevojshme për trupin.

– Një punë e tillë mund të konsiderohet dhe një mënyrë e mirë e të bërit palestër, apo jo?
Po, pse jo! Është perfekte për të ushtruar trupin! Tashmë kam nevojë për lumturinë që më sjell kjo lodhje fizike. Është diçka që më mungon nëse nuk e bëj.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb