PRISHTINE- Alexandra Papadopoulou mori sot detyrën si shefe e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Në një njoftim për media, thuhet se Papadopoulou, një diplomate e lartë greke me përvojë të gjatë në Ballkan, ka shërbyer edhe më parë në Kosovë si shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në vitin 2000.
“Angazhimet e kohëve më të fundit të saj përfshijnë shërbimin si Përfaqësuese e Përhershme e Greqisë në Bashkimin Evropian në Bruksel, Belgjikë, si dhe Drejtoreshë e Përgjithshme për çështje të BE-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë gjatë kryesimit të BE-së nga Greqia në vitin 2014. Po ashtu, Ambasadorja Papadopoulou ka shërbyer edhe si Zëvendës-Përfaqësuese e Përhershme e Greqisë në Kombet e Bashkuara, si dhe Shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Shkup për pesë vjet”, thuhet në njoftim.

“Kam kënaqësinë të jem Shefja e re e Misionit EULEX dhe të vazhdoj të ndihmoj autoritetet në ndërtimin e një sistemi të pavarur dhe efikas të drejtësisë këtu në Kosovë,” tha Papadopoulou.

Gjatë ditëve dhe javëve në vijim, Papadopoulou do të takohet me partnerët kryesorë të EULEX-it dhe me zyrtarët e lartë të Kosovës.
Papadopoulou vjen në këtë post pas diplomatit italian Gabriele Meucci./KosovaPress/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb