Numri i personave që kanë humbur jetën nga zjarret e pyjeve në 18 rajone në Algjeri është rritur në 69.

Abdulkadir Umeyrush, prokurori i Këshillit Gjyqësor në zonën Tizi Vizu, e cila ndodhet 100 kilometër në lindje të kryeqytetit Algjer, në një konferencë për shtyp tha se numri i personave që kanë humbur jetën nga zjarret është rritur në 69, prej të cilëve 28 ushtarë dhe 41 civilë.

Umeyrush theksoi se numri i të vdekurve mund të arrijë në qindra, por se aktualisht nuk dihet shifra e saktë. Më tej ai pretendoi se zjarret janë shkaktuar nga ata që nuk duan të mirën e vendit.

Në anën tjetër për shkak të personave që kanë humbur jetën në vend është shpallur 3 ditë zie që nga dita e enjte.

Në një deklaratë nga Kryeministria e Algjerisë u njoftua se për shuarjen e zjarreve në fjalë është bërë marrëveshje me Bashkimin Evropian (BE) për marrjen e avionëve me qira.

Dy avionët e marrë me qira janë përdorur në zjarret në Greqi dhe se që nga dita e enjte do të përdoren për zjarret pyjore në Algjeri.

Zjarret pyjore në Algjeri janë aktive në 71 pika të ndryshme në 18 rajone.

Bëhet e ditur se ekipet zjarrfikëse kanë vështirësi të ndërhyjnë ndaj zjarreve pyjore kryesisht në zonat malore ku transporti është i vështirë. Gjithashtu në operacionet kundër zjarreve marrin pjesë edhe ekipet e ushtrisë së Algjerisë

Televizioni shtetëror algjerian më parë kishte njoftuar se nga zjarret në vend kishin humbur jetën 65 persona, prej të cilëve 28 ushtarë dhe 37 civilë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb