Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet i sheh si zgjidhje më e mirë të zhvillimeve pas mos marrjes së datës për nisjen e bisedimeve. Ahmeti edhe një herë përsëriti kërkesën e tij për veting në të gjitha strukturat.

“Mendoj që zgjidhja më e mirë për vendin është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk do doja që ne të vendosemi në gjahtarë të fajeve sepse është e papranueshme të pranosh faj të pabërë. Republika e Maqedonisë së Veriut është një dëm kolateral i vetë dallimeve që ka BE. Në këtë rast Franca ka shfrytëzuar të drejtën statutore të vetos, për arsye se vetë BE është në kërkim të ndërtimit të situatave të reja për zgjerim. Lideri i kësaj ideje është Franca. Me keqardhje e kanë pritur të gjitha kancelaritë e Europës”, deklaroi Ahmeti.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev propozoi dje zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur. Ky propozim i kryeministrit vjen pasi vendi nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Europian. Zaev mori përgjegjësinë duke thënë se si populli edhe ai ndjehet i zhgënjyer nga vendimi i Këshillit Europian. Zaev tha se do të respektojë ligjin për qeveri teknike pa precizuar se kur do të tërhiqet nga posti i kryeministrit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb