Nga Fatmira Nikolli

Informacione unike në llojin e tyre gjer për shijet dhe sqimën, ndjeshmëritë dhe urrejtjet e Ali Pashës, për pasionet dhe kulturën, moralin vendës dhe atë të trashëguar oriental, për sensitetet erotike, karakterin, dobësitë, madhështinë apo kufizimet, qëndrueshmërinë apo lëkundjet, çartjet në luftë dhe arrivizmin në paqe, formimin dhe subkoshiencën etnike, dhe gjer për menunë e drekës dhe të darkës së Pashait, etj. dëshirat, grindjet, konfliktet por edhe aleancat, interesat politike dhe intrigat europiane, emra intelektualësh të panjohur, shkrimet e tyre, krijime, artikuj gazetash, poezi, analiza politike etj. (të gjitha këto të shpalosura për herë të parë.)

Prof. Dr. Irakli Koçollari sjell vëllimin e parë me dokumente mbi Ali Pashë Tepelenën nën titullin “Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës”. Botimi sjell dokumente arkivore, të shkruara 200 vite më parë nga Pashai, administrata e tij, shqiptarë e grekë dhe dalin për herë të parë në dritë pas mëse dy shekujsh. Ky është vetëm vëllimi i parë, pas këtij do të ketë edhe katër vëllime të tjera, ku përmblidhen dokumente që rrokin një hark kohor prej viteve 1780 gjer në vitit 1830. Koçollari vëren se shkresat dhe dorëshkrimet origjinale ngjajnë si “tufë letrash të vjetra, shumë prej të cilave të dëmtuara, të zhubravitura, me njolla lagështie.

Një pjesë e madhe e korrespondencës mungon. Kemi vetëm 1/6, pjesa tjetër nuk dihet ende se ku është ka humbur përfundimisht apo do të dalë një ditë në dritë!”. Duke e cilësuar si një pasuri unike ai vëren se është një minierë ku gjenden vlera të paçmuara historike. “Me këmbënguljen e tyre ato na largojnë nga imazhet e deformuara, të pasakta që kemi pasur për Ali Pashën dhe mjaft personazhe të tjerë historikë. Ato rrëzojnë dimensione dashakeqe të propagandës zyrtare të Perandorisë Osmane, interesa politike të qendrave të caktuara, apo legjendat urbane që fatkeqësisht personazheve historikë jo rrallë i japin sipas orekseve dimensionin dhe formën e engjëllit ose e bëjnë atë tiran e barbar të porsa dalë nga ferri i mëkateve”, thotë Koçollari.

PJESË NGA LIBRI

Dokument nr. 241 Dokumenti i mëposhtëm me nr. 241 është një informacion i hollësishëm me karakter politik, diplomatik, ushtarak dhe agjenturor (spiunazhi) që Mitropoliti i Artës, Ignatius i përcjell Ali Pashës nga Korfuzi, ku ai është nisur me mision prej vetë Pashait të Janinës, për të takuar përfaqësuesit e lartë rusë, të Ishullit të Korfuzit, që ato kohë ishte nën zotërimin e tyre këta Ishuj të Jonit. Bëjmë me dije, mbështetur në burime arkivore, kujtimet e bashkëkohësve apo autorë që kanë studiuar figurën e Pashait të Janinës, se tepelenasi shumë shpejt mbas marrjes së pushtetit arriti të vërë nën kontroll tërë pushtetin e kishës ortodokse brenda kufijve të Pashallëkut të tij por edhe më gjerë, gjer në Kostandinopojë. Autoriteti dhe influenca e tij shkonte gjer atje sa të ndikonte në emërimet e hierarkëve fetarë në Mitropolitë që funksiononin në të gjithë pashallëkun.
Po ashtu, shumë prej klerikëve në rangjet e larta të hierarkisë ortodokse i shërbenin për nevoja të caktuara që Ali Pasha kishte brenda dhe jashtë kufijve, për çështje me karakter informativ, politik, diplomatik, ushtarak apo edhe agjenturor. Ky informacion është një dokument tipik që provon fare qartë autoritetin e plotë të Ali Pashës mbi kishën ortodokse dhe hierarkët e saj. Në rastin konkret përmes vetë dorës së hierarkut ortodoks të qytetit të Artës shohim se si Pashai i Janinës e ka përdorur Mitropolitin Ignatius si një interlokutor, por edhe si një informator të mirëfilltë për çështjet dhe problematikat që ai kërkon të zgjidhë me palën ruse, të cilët ato kohë kishin në zotërim ishujt Jonianë, por edhe për të vëzhguar dhe grumbulluar informacion me karakter politik, ushtarak, agjenturor, etj. Raportimi i Mitropolitit Ignatius është i hollësishëm dhe në të dhënat që ai ofron duket se ndjehet tërësisht në raporte varësie përpara Ali Pashës.

Dokumenti i mëposhtëm dhe informacioni që ai mbart na ofron edhe një aspekt mjaft interesant të mënyrës se si Ali Pasha i shikonte dhe vlerësonte përfaqësuesit e fuqive të mëdha, prirjet, synimet, interesat dhe gjer sentimentet e tyre. Kështu, duke ditur ndjeshmëritë e shpirtit rus ndaj ortodoksisë, ai jo rastësisht dërgon tek ata një përfaqësues tipik të kishës ortodokse, sikundër ishte Mitropoliti Ignatius. Me të, rusët më mirë se me këdo tjetër, mund të bisedonin dhe të ofronin edhe intimitete për çështje delikate dhe me interes për ta. Nga ana tjetër, Ignatios, duke qenë njeri i besuar i Ali Pashës, do të mësonte më mirë se kushdo dhe do të raportonte tek “eprori” i tij gjithësa do të dëgjonte dhe vëzhgonte në këto kontakte. Mjaft dokumente të tjera me interes vërtetojnë autoritetin imponues dhe marrëdhëniet e afërta të Ali Pashës mbi tërë rangjet e kishës ortodokse, qofshin këta grekë apo shqiptarë.

Në vazhdim, apo pas këtij dokumentit renditen edhe katër dokumente të tjera, prej atij me nr. 241 gjer në dokumentin me nr. 245, të shkruara nga Mitropoliti i Artës, Ignatio, që ai ia drejton Ali Pashës. Që të pesë dokumentet bëjnë fjalë për misionin e kryer nga Mitropoliti Ignatios në takimet që ai ka pasur me hierarkinë ruse në ishullin e Korfuzit, domethënë me përfaqësuesin apo të Ngarkuarin Fuqiplotë Grigorio Mocenigo, me Konsullin Liberaqiu Benaqi dhe me gjeneralin Anrep. Në mënyrë më konkrete, sqarojmë se qëllimi i kësaj vizite, të këtij hierarku fetar në Korfuz ka qenë misioni i planifikuar nga Ali Pasha, që përmes mitropolitit Ignatios të zbusë marrëdhëniet e tensionuar të të dyja anëve. Kjo vizitë dhe ky takim ka lënë gjurmë jo vetëm në zhvillimet politike të kohës, por edhe dokumentacionin, që përkon me këtë periudhë kohore, për më tepër me atë që gjendet në arkivat ruse, të cilat pasqyrojnë me hollësi këtë ngjarje.

S’ka dyshim se me publikimin e këtyre dokumenteve, tanimë këto ngjarje ndriçohen edhe nga shkrimet e palës tjetër, të Ali Pashës, që gjer më tani kanë munguar. Aq më tepër dokumentet kanë vlerë, pasi ato janë shkruar nga vetë përfaqësuesi i Ali Pashës në këto bisedime, mitropoliti i Artës. Informacione të tjera për këtë mision me interes historik gjenden edhe në veprën e histori-anit grek Spiro Aravantino, me titull “Historia e Ali Pashë Tepelenës” dhe në atë të akademikut rus Grigori Ars me titull “Allvania kai Epiros…”. Të pesta dokumentet e hartuara nga Ignatius, duhet të merren të lidhura me njëra-tjetrën, pasi ato trajtojnë pothuaj të njëjtin subjekt dhe ndriçojnë të njëjtat çështje. Në dokumentin e parë që mban nr. 241 dhe që është shkruar në Korfuz, më 13 Shtator 1804; Mitropoliti i Artës, Ignatios informon Ali Pashën se ka marrë letrën e shkruar prej tij të datave 5 dhe 9 dhe është vënë në lëvizje dhe interesohet për të takuar, më datë 8 Shtator, Mocenigon dhe Benaqin, takim në të cilën u gjend edhe Konsulli i porsaemëruar i Rusisë, në Artë, Jorgji Flori (Flory), i cili nuk është vendosur ende në zyrën dhe funksionin e tij.

Kërkesat
Hierarku grek, Ignatios, ka parashtruar përpara bashkëfolësve kërkesat e Ali Pashës për funksionarët e lartë rusë në këto çështje: 1. Largimin e menjëhershëm të suljotëve nga Parga, ku janë vendosur dhe ku vazhdojnë të qëndrojnë akoma. (Dokumenti sjell në këtë mënyrë një provë me vlerë rreth mbështetjes që rusët u kanë dhënë suljotëve jo vetëm në lëvizjet dhe rebelimin e tyre kundër Ali Pashës, por edhe mbas rënies së qëndresës, përsëri rusët kanë marrë përsipër strehimin e tyre, në territoret përballë dhe përtej Sulit, në Ishullin e Korfuzit, që rusët e kishin në zotërimin e tyre për mëse një vit-IK). 2. Pengimin e qarkullimit të hajdutëve (kleftëve) të territoreve kontinentale, me Shtatë Ishujt e Jonit. 3. Tolerancë nga ana e rusëve për marrjen në zotërim të Butrintit, që Vivari të ishte nën kontrollin e Ali Pashës. Kujtojmë në këtë rast se fortesa në hyrje të Kanalit të Butrintit, një garnizon i hershëm venecian, këto kohë, pas rënies së Venedikut në duart e Bonapartit, u mor në zotërim të rusëve, pa i lënë kohë dhe hapësirë Ali Pashës që të hynte me trupat e tij dhe ta shtinte në duart e tij këtë pikë më rëndësi të veçantë ushtarake. Kur në letër përmendet fjala Livar, është fjala për kanalin e Vivarit dhe fortesën në hyrje të tij, që aso kohe ishte garnizon ushtarak nën kontrollin e rusëve. Kjo fortesë garnizon ushtarak, që ekziston edhe sot e padëmtuar në hyrje të Kanalit të Butrintit, aso kohe ka pasur një rëndësi mjaft të madhe strategjike dhe ushtarake, pasi prej këtu kontrolloheshin tërë lëvizjet e anijeve që qarkullonin në Kanalin e Korfuzit, por edhe të atyre që donin të hynin në Liqenin e Butrintit dhe në thellësi të territoreve kontinentale të Pashallëkut të Janinës.
Nga radha e kërkesave të mësipërme, Ali Pasha ka marrë përgjigje pozitive për çështjen e suljotëve, si dhe për atë të hajdutëve (kleftëve), me rezervën se kjo çështje do të kishte vështirësi praktike për t’u realizuar nga administratorët e ishujve, të cilët do ta kishin të pamundur të parandalonin tërësisht lëvizjet e tyre ilegale. Për çështjen e Butrintit, Mocenigua ishte kategorikisht kundër, por duket se më pas ka ndërruar mendje. Në vazhdim të informacionit që parashtron në këtë letër, Ignatios bën me dije Ali Pashën për mundësinë e rikthimit në një të ardhme të suljotëve në territoret e tjera të pashallëkut, një hipotezë kjo mjaft e ndërlikuar, gjë për të cilën Ignatios kërkon udhëzime të sakta dhe konkrete nga Ali Pasha. Në letër Iganatios përmend edhe një çështje, për të cilën e ka porositur Ali Pasha, por që ai nuk e nominon, pra nuk ia nxjerr kokën konkretisht. Duket se ajo duhet të ketë qenë një çështje mjaft delikate, pse jo kompromentuese. Për këtë arsye, Igantios e vë në dijeni Pashanë se ai as që e përmendi fare atë subjekt në bisedime, pasi ajo ndoshta rëndonte dhe mallëngjente shume në karakter hierarkun. Përmes këtij informacioni, Ignatios e vë në dijeni Ali Pashën edhe për praninë në Ishullin e Korfuzit (që është në duart dhe kontrollin e ushtarakëve rusë) të dy shqiptarëve të Çamërisë, të cilët gjer atëherë janë shfaqur si kundërshtarë të Ali Pashës. Ata janë vëllai i Musta Pashës së Delvinës dhe Musa Çaparit, të cilët kishin kërkuar takim me Mocenigon, por ky nuk ka pranuar ti takojë, ndërsa konsulli tjetër rus, Benaqi i ka takuar, por e ka porositur që të pajtohen me Ali Pashën. Megjithatë, ne gjykojmë se përfaqësuesit rusë, vështirë se kanë qenë kaq të interesuar që të pajtojnë me Ali Pashën, kundërshtarët e tij.

Një pjesë e kundërshtarëve të Pashait të Janinës kishin hyrë në rrugën e konflikteve me tepelenasin të nxitur nga vetë rusët, prandaj duket paradoksale që këta kundërshtarë të Aliut të jenë kaq dashamirës me armikun e tyre. Në përfundim të informacionit, Ignatios bën me dije për zhvillimet ndërkombëtare për takimin e parë që ka pasur me gjenerali Anrep, për të cilin thotë se rrjedh nga një familje ushtarakësh dhe se është njëri “i përkëdhelur i Oborrit dhe shumë pozitiv dhe i dashur”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb