TIRANË- Partia Demokratike deklaroi sot se droga dhe përfshirja e qeverisë në këtë biznes kriminal, është një realitet i frikshëm, që po inkriminon shoqërinë.

Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj tha se në tre ditët e fundit, 2 tonë drogë ka kaluar nga kufijtë tanë për në Greqi dhe në Itali.

“1 ton në Greqi, dhe 1 ton drogë në Itali, dhe këtu bëhet fjalë për sasinë e kapur nga policia.
Kur raporti është; në 10 ngarkesa, policia fqinje arrin të ndalë vetëm njërën, përfytyroni sa drogë shqiptare ka kaluar këto ditë në Greqi dhe në Itali. Ndërkohë Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë, nuk kemi problem me drogën, edhe pse mbarë Europa është e shqetësuar, media italiane, greke, gjermane dhe BBC japin alarmin për hashashin shqiptar që po mbulon vendet e tyre”, tha ai.

Alibeaj theksoi se droga dhe përfshirja e qeverisë në këtë biznes kriminal, është një realitet i frikshëm, që po inkriminon shoqërinë, po pushton rininë e shkollat, po shkatërron imazhin e vendit tonë, dhe është një prej mureve që po pengon integrimin europian të vendit.

“Vetëm një njeri ende nuk e kupton këtë gjendje të rëndë. Ky është Edi Rama, i cili duke e mohuar drogën po vetëshpallet si kumbari i saj”, u shpreh Alibeaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: