TIRANË

Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj ka folur sot në studion e Neës24 për komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit që ai drejton si dhe për situatën në PD.

Alibeaj tha se nga ana e opozitës ishte parashikuar qëndrimi i maxhorancës, gjithsesi ai paralajmëroi për debate të forta me nisjen e shqyrtimit të dokumentacionit të ardhur nga institucionet.

“E kishim parashikuar pengesën nga PS për komisionin hetimor për zgjedhjet. Bënin kërkesa antiligjore se për të kërkuar prova duhet të merret leja nga maxhoranca.
Kanë ardhur në 98% të përgjigjeve për kërkesat tona ndaj informacioneve. Kur një komision hetimor kërkon prova fakte, asnjë institucion tjetër nuk e ka mundësinë të pengojë përndryshe do përballet me sanksione ligjore. Sa herë një institucion ligjor publik do të bëhet pengesë do të përballet me sanksionet e ligjit. 98% e të gjitha kërkesave kanë gjetur përgjigje. Sjellja nga ana e maxhorancës kjo do të ishte.
Do të ketë debate, në fakt s’keni parë asgjë akoma. Debatet reale do të fillojnë kur të shfletojmë materialet”, tha Alibeaj.

Sa i përket situatës në PD, Alibeaj theksoi se ka vetëm një Kuvend, ai i vendosur nga Kryesia e PD më 18 dhjetor.
“Nuk është se e themi ne që ka vetëm një Kuvend. Ka vetëm një Kuvend sepse procedura është e tillë. Janë disa rregulla procedurale që na bëjnë bashkë dhe na ndajnë nga çdo lloj bashkimi kaotik njerëzish. Statuti, kushtetuta e partisë përcakton mënyrën e organizmit të një formacioni politik. Kuvendi është më 18, i thirrur nga Kryesia e Partisë siç e përcakton Statuti. Nuk ka të dytë”, tha ai.

Lidhur me firmat e mbledhura nga Berisha për thirrjen e Kuvendit më 11 dhjetor, Alibeaj tha se u refuzua procesi.
“Nuk kanë besim për çfarë? Ato janë formularë, cili është besimi se mos një dorë tjetër do shkojë atje dhe t’i grisë. Verifikimi është i thjeshtë. Nëse ke mbledhur formularë, me emër e mbiemër dhe me një vullnet të shprehur, e para duhet të verifikohet a janë zyrtarë të PD-së? Këtë duhet ta bëjnë institucionet e partisë, sekretariati, i jep dhe një shkresë grupit opozitar.
Pas kësaj ka një proces verifikimi. Statuti parashikon që nga momenti i dorëzimit të kërkesës do duhet të kalojë një periudhë jo më pak se një mujore deri në mbledhjen e Kuvendit. U refuzua ky proces dhe nuk pati një kërkesë zyrtare, solemne, të protokolluar dhe rend dite për të mbledhur Kuvendin.
Nuk e di nëse i kanë ato firma. Nuk e di se çfarë kanë brenda ato letra. Është e çuditshme që kur ndërmerr një aksion të tillë të mbledhjes së firmave dhe vullneteve të shkosh dhe t’i mbyllësh në kasafortë e të mos i bësh publike. Për më tepër ka të dhëna që procesi i mbledhjes së këtyre vullneteve nuk ka qenë serioz”, deklaroi Alibeaj.

Ai tha se nuk e shqetëson “Foltorja” e ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi tek çdo lëvizje duhet parë moraliteti politik.
“Nuk më shqetëson aspak. Sepse çdo lëvizje do duhet parë se çfarë moraliteti politik ka. Lëvizjet partiake apo brenda partiake duhen parë se çfarë moraliteti kanë. Nuk duhet të largohemi nga motivi i kësaj lëvizjeje. Ka një datë të caktuar, 9 shtatori. Data kur kryetari i partisë brenda të gjitha kompetencave që ka mori një vendim për të pezulluar nga grupin parlamentar deputetin Sali Berisha. Deri më 8 shtator nuk kishim as lëvizje, as fjalë, as akuza.
Të gjithë trupën e demokratëve, të anëtarësisë e cila sot ndihet e vjedhur, e shantazhuar sepse më 25 prill u vodh fitorja, sigurisht ata ndihen në një gjendje pothuajse afro depresionit dhe në këto kushte është fare e thjeshtë të manipulosh. Do ishte në nderin e të gjithë drejtuesve të PD të mos i përzienin në një gjendje të tillë për të zgjedhur mes SHBA-ve dhe zotit Sali Berisha”, tha Alibeaj.

I pyetur nëse 11 dhjetori do kishte mbështetje të madhe, çfarë do ndodhte, ai tha se më 10 nëntor ishte momenti juridik dhe procedural kur të gjithë këto kërkesa mund të verifikoheshin. “Po qe se do verifikoheshin dhe do rezultonte se do ishin ¼ e Kuvendi do ishte detyrim për të mbledhur Kuvendin. Kjo gjë nuk rezultoi dhe nuk merrem më me ‘nëse’.
Zgjidhja reale është kjo, të përcaktojmë fare qartë se cilat janë vlerat reale që na mbledhin ne si demokratë, liria, pluralizmi, aleanca e plazmuar në ADN-në e partisë me SHBA-të. Këto janë vlerat nga të cilat nuk duhet të lëvizë askush nga demokratët. Aksioni politik, beteja kundër regjimit”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb