TIRANË- Pas pyetjeve të deputeti socialist Ulsi Manja ndaj prokurorit të çështjes “Tahiri”, Besim Hajdarmataj për procedimin penal të nisur nga ish-ministrit, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj i ka ‘akuzuar’ se po bëhen avokatë të tij. Ai tha se nuk duhet t’i futen çështjes në themel, pasi atë e diskuton gjykata duke iu tërhequr vëmendjen. Por nga ana tjetër kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se kjo është procedura dhe nëse nuk mund të përgjigjet, atë mund ta thotë prokurori.

Alibeaj: Pyetjet e kolegut i drejtohen prokurorisë duke iu futur në themel çështjes. Sa dokumente ka. A ka ndjekur apo jo procedurën e letër-porosive etj. Ju kujtoj se kjo është çështje që diskutohet në gjykatë. Këtu në këshillin e mandateve dhe rregullores shqyrtohet një gjë, a ka një kërkesë drejtuar Kuvendit? A ka nisur procedimi penal nga ana Prokurorisë? Zotërinjtë atje a janë prokurorë? Nëse keni marrë përsipër të bëheni avokatë të Saimir Tahirit ja ku keni. Për t’i ruajtur imazhin këtij parlamenti duhet të zbatoni rregulloren.

Ruçi: Jemi në një procedurë dhe është kjo. Është pala që ka parashtruar kërkesën dhe jemi në momentin që ne bëjmë pyetje dhe ata të japin përgjigje. Askujt nuk i mohohet e drejta e pyetjes dhe askujt për t’u përgjigjur brenda materialit. Nuk mund të mësojmë njeri-tjetrin a është pyetje kjo apo nuk është. Prokurori është më i aftë se ju dhe unë dhe mund të thotë. Debatin do ta vazhdojmë ne.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: