Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” duhet të ishte mjeku Ilir Alimehmeti, i cili do të arrinte të prekte pjesën gri të elektoratit që nuk doli fare në zgjedhje.

I ftuar në “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ai u shpreh se PD duhej të kuptonte që duhet të dilte mbi veten dhe të gjente një kandidat përtej militantëve.

“Mënyra si u zhvillua fushata do na çonte drejt kësaj mospjesëmarrjeje. Gjuha e kryeministrit, për të stigamatizuar opozitën, donte të mobilizonte të vetët por në këtë grackë ra opozita.

Ata që duhet të bëjnë ndryshimin, pra zona gri nuk votoi fare. Fushata u zhvillua e tillë që të dy palët iu drejtuan vetëm militantëve,.
Raporti i OSBE flet për ndërhyrjen e shtetit dhe blerjen e votës.
Duhet reflektim i thellë. Surprizë ishin Shkodra e Himara.

Sa i përket Tiranës, do dëshiroja kandidat të ishte Alimehmeti se mund të mobilizonte një pjesë tjetër të PD. Kishte një background të mirë jo një militant i PD, kishte bërë një PR të mirë gjatë pandemisë, na çonte përtej PD-së. Sa për militantët është më e madhe dhe e organizuar PS.

PD duhet të kuptonte që duhet të dilte përtej vetes me një kandidat që e çonte përtej militantizmit, që e çonte në zonën gri. Ai mund të katalizonte më mirë zonën gri. Dy kandidatë kryesorë i drejtoheshin më shumë njëri tjetrin, nuk pashë një projekt për Tiranën, një metropol, Tirana nuk është vetëm një konvikt dhe zona rezidencale”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb