Midis të qeshurave dhe lotëve, Valérie Lemercier prezantoi dje në mbrëmje në Kanë filmin e saj “Aline”, që tregon me humor, por pa kaluar kurrë në parodi, jetën e këngëtares së njohur nga Kebeku, Céline Dion.

I frymëzuar lirisht nga jeta e yllit ndërkombëtar, filmi, i drejtuar dhe i realizuar nga Valérie Lemercier, tregon historinë e Aline Dieu, një këngëtare nga Kebeku, e katapultuar në nivelin e një ylli falë zërit të saj të jashtëzakonshëm.

Më shumë sesa një biografi, ky film, i gjashti me metrazh të gjatë nga Valérie Lemercier, është në të vërtetë një deklaratë dashurie për këngëtaren.

Gjestet, kostumet, zëri … Asgjë nuk i lihet rastësisë.

Gjatë filmit, Valérie Lemercier, e cila arrin të realizojë mishërimin e një Aline Dieu në të gjitha moshat, zhduket nën tiparet e Celine Dion.

I mbushur me humor, filmi përpiqet të tregojë ngritjen e një vajze të re, të cilën asgjë nuk e paracaktoi për një fat të tillë, por pa rënë kurrë në karikaturë.

“Qëllimi nuk ka qenë kurrë tallja. Ajo është dikush që e admiroj shumë, e cila nuk më mërzit kurrë. E bukur. Në të gjitha moshat”, deklaroi sot regjisorja gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e filmit.

“Aline” është një film plot gjallëri, i xhiruar me një grup aktorësh ekskluzivisht nga Kebeku (Danielle Fichaud, Sylvain Marcel, Antoine Vézina dhe Pascale Desrochers), në lartësinë e një Valérie Lemercier verbuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb