Kur mori vesh se marrëveshja ishte zyrtare, shpërtheu në lot: “Largimi nga Roma ishte i vështirë. Kam qarë gjatë, bashkë me bashkëshorten time. Më duhet të jem i ndershëm në atë që them: unë bëra një zgjedhje profesionale, një hap përpara në karrierën time dhe Roma fitoi shumë parà. Me tru vendosa të shkoj te Liverpool, por zemra ime ishte për të qëndruar te Roma, ku kalova dy vite të shkëlqyera, ku lindi vajza ime dhe kisha shumë miq, edhe jashtë futbollit. Shpesh herë kam bërë shëtitje darkën vonë në këtë qytet, një bukuri e rrallë. Vendi im i preferuar ishte Koloseu, atje përjetoje historinë. E pranoj që kam qarë kur ika.” – në këtë mënyrë ka folur Alisson Becker, që sot mbush 26 vjeç dhe nesër do të kthehet në Itali për të luajtur kundër Napoli, këtë herë duke mbrojtur portën e Liverpool.

Një nga portierët më të mirë të planetit, i dyti më i paguar në histori, 73 milionë euro, Alisson tregon: “Premier League është ndryshe nga Italia, atje ka më shumë ritëm. Por unë në Itali mësova shumë prej Marco Savorani, një njeri thelbësor në rritje time dhe të Szcezesny. Një nga njerëzit më të rëndësishëm të jetës time, që më ka ndihmuar edhe jashtë fushe.”

Në fund, Alisson tregon bisedën e parë me Klopp: “Kur të dy klubet arritën marrëveshjen, Klopp më telefonoi në “Face Time” dhe më shpjegoi projektin e tij dhe atë që donte nga unë. E admiroj që nga koha kur ishte te Dortmund. Eshtë një njeri inteligjent dhe me karakter. Nuk flet shumë, por di gjithmonë çfarë të thotë. Eshtë futur në dhomat e zhveshjes, pas gabimit tim kundër Leicester, edhe nisi të qeshte, kur unë isha gati të qaja. E kuptova se kisha bërë një marrëzi, por ai më tha, vazhdo të luash në të tillë mënyrë, përndryshe mërzitem edhe unë. Më dhanë kurajë fjalët e tij.”

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: