Në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër” bëjnë bilancet pas grumbullimit të lojtarëve me ekipet përfaqësuese. Rezultatet shqetësojnë jo pak pasi Allegri duhet të bëjë llogaritë me disa mungesa të rëndësishme. Bernardeschi është i detyruar të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën 20 ditë si pasojë e një tërheqje muskulore. Nuk do të jetë në fushë të shtunën kundër Lazios ashtu si edhe Chiellini, me qendërmbrojtësin që braktisi përpara kohe grumbullimit me përfaqësuesen azzurre pas një problemi në tendinën e Akilit. De Sciglio gjithashtu vijon të mos jetë në dispozicion të trajnerit.

Allegri kryqëzon gishtat të rikuperojë të paktën në kohë Dybala, me sulmuesin që ndjen shqetësime në pulpë, një dëmtim që nuk e lejojë të ishte në fushë kundër Brazilit. Dybala do ti nënshtrohet kontrolleve të tjera për të kuptuar nëse do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj Lazio. Prezenca ose jo e Dybala mban pezull formacionin e Allegrit pasi me të në fushë ndryshon edhe rreshtimi i mundshëm i ekipit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb