Belind Këçilli, i 10-i në listën e PD në Tiranë, ishte i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, ku foli për keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe të bazës së të dhënave shtetërore nga Partia Socialiste.

Këçilli tha se PS ka zgjedhur mënyrën e gabuar për t’iu drejtuar qytetarëve, pasi sipas tij, po i intimidon, duke i marrë në telefon dhe pyetur se për kë do të votojnë.

“Nuk besoj se jam në databaze e tyre, do të ishte fundi i botës. Kam marrë mijëra shqetësime nga banorë që i takoj, që i marrin në telefon dhe u flasin me emër. Kryesisht nga njësia nr. 6, nga njësia 14, që i marrin në telefon, i pyesin, i intimidojnë. “Jemi nga një organizatë jotifimprurëse”, dhe pastaj i pyesin se kë do të votojnë. Nëse ju thuhet, psh., do votojmë Belind Këllicin, i pyesin “Pse”, dhe nëse thonë do votojmë Belinda Ballukut, ju thonë “shkëlqyeshëm”. Telefonojnë edhe bizneset, administratorët, pronarët, për t’i pyetur se ku do të shkojë vota. Kjo tregon panikun e palës përballë. Unë nuk di të përdoret e njëjta formë nga PD”, tha Këçilli.

Gazetarja: Më kanë marrë në telefon edhe nga PS, edhe nga PD. Pra, të dyja partitë e mëdha po e zhvillojnë këtë lloj komunikimi…
Këlliçi: Unë nuk e kam marrë një mesazh të tillë, por aty nuk shoh asnjë lloj intimidimi. Nga PD marrin për të bërë sondazh dhe kjo është tjetër gjë. Ndërsa banorët më thonë se vetë deputeti Eduard Shalsi i ka telefonuar, duke iu kërkuar të votojnë për PS. Kjo është një formë e gabuar, është intimidim, se po të merr dikush i veshur me petkun e qeveritarit. Unë personalisht kam gjetur një formë tjetër, kam shkruar një letër për t’iu drejtuar qytetarëve. Psh. në Kombinat, si zona më e varfër, pasi jam njohur me problematikat, iu jam drejtuar qytetarëve me një letër, ku ju tregoj planin tim dhe të PD, dhe ua lë te dera. Nëse kanë kohë ta lexojnë, e bëjnë, ndryshe jo. Pra lihet qytetari i lirë. Unë nuk kisha aplikuar kurrë në e-Albania dhe kur e hapa në karantinë, më rezultonte se numri im i kartës ishte në përdorim. E gjitha kjo bëhet për të marrë të dhënat.

Mua do më krijonte shqetësim të shihja emrin tim dhe të shihja që kam një patronazhist, pa dhënë unë të drejtën që të kem një marrëdhënie të caktuar me një person të caktuar, që mbase edhe nuk e njoh. Kjo do më krijonte shqetësimin e “Big Brother”, që është dikush mbi ty e po të monitoron. Për herë të parë, në historinë e vendit tonë qeveria mban mbledhje se sa like kanë marrë ministrat, sa share, sa komente. Është një model që bazohet mbi propagandën, fasadën, dhe që i jep më shumë vëmendje likeve e shareve në rrjetet sociale, se sa punëve. Në Kombinat, Unazën e Re dhe zonën e ish-komunës së Kasharit po bëhet batërdi. Këta janë kujtuar 20 ditët e fundit për t’i hedhur asfalt elektoral rrugëve. Kjo tregon modelin e tyre.

Gazetarja: Kam një reagim tani, për llogarinë tuaj në e-Albania, ku thuhet se ju e keni hapur një llogari, që del nga një ekspert kontabilist.
Këlliçi: As ja kam idenë. Kam qenë korrekt, e kam provuar gjatë pandemisë dhe nuk më lejon. Kam tentuar disa herë me emailin tim personal.
Gazetarja: Më thotë që është hapur me emilin tuaj.
Këlliçi: Sërish “Big Brother” po na sheh, më mirë të merren me ndonjë punë. I them atij që të shkruan se nuk e kam hapur unë, nuk kam ndonjë marrëdhënie me ekspertë kontabilistë.

Gazetarja: E keni hapur në vitin 2015.
Këlliçi: Nuk ma ha mendja, nuk e besoj, të kem hapur unë acount në e-Albania. PD po punon dhe po sheh të gjitha mundësinë dhe po shqyrton gjithë këta databaze gjigante dhe sigurisht që do të ketë një kallëzim në SPAK. Nuk di nga vijnë të dhënat, por dyshimi i parë shkon tek e-Albania, që disponon të gjitha të dhënat që shpallen në atë listë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb