TIRANE

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka reaguar pas prezantimit të programit ekonomik të Partisë Demokratike, të cilin e bëri publik sot vetë lideri i së djathtës Lulzim Basha. Ndërsa për Bashën ai ishte modeli fitues i zgjedhjeve dhe vinte nën emërtimin Alternativa për Zhvillim, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Spiropali zgjedh të ironizojë.

Sipas saj, Alternativa për Zhvillim nuk është gjë tjetër veçse kopje e programit Republika e Re të prezantuar nga Basha në zgjedhejt e përgjithshme. Ndërsa rendit ato që i quan dështime të Republikës së Re, Spiropali thotë se edhe kësaj here me Alternativën për Zhvillim, Basha do të vulosë një tjetër humbje.

“Kjo fletëpalosje është njësoj si ajo e Republikës së Re, ku është hequr Republkia e Re dhe është vendosur Alternativa për Zhvillim. Republika e Re do të sillte çlirimin e ekonomisë dhe solli vetëm shkatërrimin e mëtejshëm të partisë. Republika e Re do të sillte punësim dhe kujdes për sipërmarrjen dhe solli vetëm ripunësimin e Lulzim Bashës kryetar partie pas humbjes dhe kujdes për partinë e ktheyr në sipërmarrje të kunatit. Republika e Re do ta kthente biznesin e vogël në gjenerator të ekonomisë kombëtare dhe e ktheu PD në gjenerator të ekonomisë familjare të kryetarit të vogël të partisë. Republika e Re do të tërhiqte investime të huaja dhe tërhoqi vetëm agjensitë e huaja që hetojnë për paratë ruse të futura në ekonominë e lobeve të dyshimta amerikane për llogari të Lulzim Bashës. Republika e Re do të hiqte akcizën e naftës për fermerët dhe për peshkatarët dhe hoqi nga partia themeluesit dhe solli në parti të peshkuarit në rezervuarin e kunatit. Republika e Re do ta kishte si prioritet kombëtar arsimin dhe ka sjellë si prioritet jo kombëtar gjetjen e përgjigjes për pyetjen: A ka diplomë Lulzim Basha? Ndërkohë pyetja ime është: Po Alternativa për Zhvillim që ka zëvendësuar Republikën e Re në kaptinën e të njejtit dokument, çfarë mund të sjellë? Dhe përgjigjja e çdo njeriu të zakonshëm që e ndjek sadopak politikën është: Do të sjellë një humbje edhe më të thellë të PD dhe Lulzim Bashës në qershorin e ardhshëm krahasuar me dy qershore më pare”,- u shpreh ajo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb