Altin Lala i përgjigjet Armand Dukës pas deklaratës së këtij të fundit se vetëm ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare mund t’ia dorëzonte me kënaqësi postin e kreut të FSHF-së. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Lala nuk i kurseu batutat, ndërsa foli edhe për transferimin e Milot Rashicës te Verder Bremen.

Talenti kosovar është një bast i fituar për ish-mesfushorin kuqezi, që pas dorëheqjes nga Kombëtarja U-19, kërkon të lërë gjurmë në futboll si menaxher.

Altin, e keni ndjekur intervistën e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, të dielën në mbrëmje…?
Të them të drejtën, jo, sepse kam qenë në stadiumin e Bremenit të dielën, pasi doja të shikoja Rashicën në ndeshjen kundër Volfsburgut. Megjithatë, e kam marrë vesh se çfarë ka thënë Duka.

OK, ai është shprehur se do t’ju dorëzonte me kënaqësi postin e kreut të FSHF-së. Keni diçka për t’i thënë?
Me siguri e ka thënë me shaka, por siç e bën punën ai, nuk besoj se do ta bëja unë. Nuk ka nevojë t’i bëj reklamë, por, duke qenë se ka përkuar ardhja e tij me aktivizimin tim në Kombëtare, mendoj se ka bërë shumë punë. Nga viti 2002 dhe deri më tani është bërë revolucion, edhe pse e mira s’ka fund. Duka është njeriu i duhur për drejtimin e Federatës.

Vërtet ka 16 vite dhe duken shumë, por ai nuk është 80 vjeç, siç ka qenë Blateri në FIFA. Nuk mund të themi se ai nuk ka energji. Deri pak vite më parë thoshim se kur do ta shikojmë një herë Shqipërinë në Europian apo Botëror. Një objektiv u arrit dhe ishte ëndërr. /PanoramaSport- http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-lala-duka-le-te-rrije-i-qete-per-fshf-ne-flasim-pas-16-vitesh/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: