NGA ORNELA MANJANI

ALUIZNI publikon listën me 905 pronarë që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje dhe kanë gati fondin për kompensim. Shuma që do të shpërndahet është 848 milionë lekësh dhe përfituesit janë në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Le-zhës, Vlorës dhe Shkodrës. Toka e zënë dhe që do të kompensohet në vlerë monetare është një sipërfaqe prej 50 627,1 m2.

Pas miratimit të listës së përfituesve nga qeveria Agjencia e Trajtimit të Pronave do të çelë procedurat për plotësimin e formularit dhe dorëzimit të dokumenteve nga përfituesit dhe më pas do të shpërndajë edhe paratë. Kostoja e aplikimit është 2 mijë lekë, ndërsa afati i shqyrtimit të kërkesës është 90 ditë. Grupi i punës brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës verifikon dokumentet, ndërsa drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave brenda 30 ditëve nga verifikimi, firmos pagesat.

Pranimi i kërkesave
Procesi i regjistrimit apo pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës.

Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mos përfshirjes.

Dokumentet
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë ATP-së Tiranë kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgim-tarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.

Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikate familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

(Listën e re me përfituesit e qarqeve Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër e gjeni në numrin e sotëm të “Gazeta Shqiptare”)

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: