Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Personat që kanë ndërtuar pa leje dhe që kanë tërhequr faturën për parcelën ndërtimore nga zyrat e ALUIZNI-t, duhet të kryejnë pagesën brenda 6 muajve. Në rast të kundërt, ndërtimi regjistrohet në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si barrë hipotekore, ose e thënë ndryshe në pronësi të ALUIZNI-t. ALUIZNI po përgatit lista me personat që rrezikojnë të humbasin pronësinë mbi shpitë, ndërkohë që bën publik 140 emrat e parë, që duhet të paguajnë detyrimin. Përcaktimi për penalitet në rast mospagese të faturës është parashikuar në nenin 30 të ligjit bazë për legalizimet, ku me ndryshimet e fundit ligjore është bërë një shtesë në pikën 2 të tij. Në ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482”, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, në nenin 30 është përcaktuar që në pikën 2 të tij të kryhet një shtesë ligjore. “Pika 2/1 ndryshohet si më poshtë: ‘2/1. Përcaktimet e këtij neni zbatohen edhe në rastin kur subjekti apo njëri prej subjekteve që disponojnë ndërtimin me funksion banimi nuk shlyejnë detyrimet financiare të parashikuara në ligj për vlerën e parcelës ndërtimore të objektit pa leje. Në këtë rast, për pasurinë ose pjesën takuese të subjektit debitor, regjistrimi bëhet sipas shkronjës ‘a’, të nenit 54, ‘Regjistrimi i hipotekës ligjore’, të ligjit nr. 33/2012, ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.'”-thuhet në ligj. Në fund të nenit shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Rregullat e hollësishme, kufizimet dhe procedurat që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Regjistrimi
Burime zyrtare nga ALUIZNI bëjnë të ditur se për rastet kur një objekt ka marrë lejen e legalizimit dhe objekti është në emër të dy apo më shumë personave, nuk do të përfitojë hipotekën vetëm personi që nuk ka kryer pagesën, ndërsa “bashkëpronarët”, personat që kanë shlyer detyrimet sipas ligjit do të pajisen me hipotekë. Sipas të njëjtave burime mësohet se për pjesën e objektit që nuk është shlyer detyrimi, regjistrimi në Hipotekë do të kryhet si barrë hipotekore, ndërsa për pjesën tjetër të ndërtesës, në emër dhe pronësi të personave vetëdeklarues. Për rastet kur ndërtimi pa leje regjistrohet në pronësi të ALUIZNI-t, do të ketë një vendim të mëvonshëm, i cili do të përcaktojë afatet dhe procedurat që do të ndiqen me objektin.
Pagesat
Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Vlera e parcelës ndërtimore që i shitet poseduesit të ndërtimit pa leje paguhet menjëherë në momentin e njoftimit me shkrim nga ALUIZNI, duke përfituar reduktim të vlerës. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, kur subjekti është në kushtet e paaftësisë paguese, Këshilli i Ministrave, në varësi të rasteve të deklaruara, përcakton mënyrat alternative dhe procedurat për shlyerjen e vlerës së parcelës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: