NGA: ORNELA MANJANI*
Ndryshon ligji për shqyrtimin e lejeve të legalizimit. Me një vendim të posaçëm qeveria vendos të zgjidhë konfliktin e interesit në shqyrtimin e kërkesave për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Ndryshimi parashikon të drejtën e personit që aplikon marrjen e legalizimit dhe ka konflikt interesi me drejtorin e drejtorisë ku shqyrtohet dosja, që t’i drejtohet ALUIZNI- t me një shkresë ku kërkon ndryshimin e drejtorisë që shqyrton dosjen.

VENDIMI
Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në pikën 11 të vendimit nr.954, datë 25.11.2015, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të formularit të lejes së legalizimit”. “Në rastet kur ka konflikt interesi, sipas kuptimit të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’, të ndryshuar, me kërkesë paraprake të subjektit të interesuar, Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t autorizon një drejtori tjetër varësie për kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimit informal”, – thuhet në vendim. Para ndryshimit ishte përcaktuar që, për rastet kur punonjësit e niveleve drejtuese në drejtorinë e varësisë së ALUIZNI- t gjenden në kushtet e konfliktit të interesit, leja e legalizimit miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë vendim.

SHQYRTIMI I LEJES
Në vendimin nr.954, datë 25.11.2015, Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të formularit të lejes së legalizimit”, është përcaktuar që drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal (data e vendimit të kualifikimit). Leja e legalizimit miratohet për subjektin përfitues, që është sipas rastit, aplikuesi për legalizim ose/dhe personi të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje nëpërmjet: veprimeve juridikocivile (kontratë për kalimin e së drejtës për të legalizuar ndërtimin), trashëgimisë ose me anë të deklaratës së aplikuesit për njohjen e të drejtave mbi ndërtimin; b) vendimit gjyqësor të formës së prerë. Dokumentacioni sipas shkronjës “a” dorëzohet nga subjektet përpara përfundimit të procedurave administrative të miratimit të lejes së legalizimit.

Leja e legalizimit miratohet për ndërtimin informal, që është kualifikuar për legalizim, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr. 280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje”. Në këtë vendim përcaktohet që ndërtimeve pa leje që kanë minimalisht, të ndërtuar një kat, mbi ose nën tokë, janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme, të ngritura, të paktën, në strukturë dhe janë të lidhura pazgjidhshmërisht me tokën, drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t u miraton lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal. Sipas këtij vendimi, brenda 10 ditëve nga data e miratimit, leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik, i dorëzohet ose i dërgohet në rrugë postare subjektit përfitues. Për ndërtimet informale, që i nënshtrohen procedurës së kalimit të së drejtës së pronësisë, leja e legalizimit miratohet përpara kryerjes së këtyre procedurave dhe i dorëzohet subjektit përfitues, së bashku me dokumentacionin shoqërues.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: