Nga: ORNELA MANJANI*

TIRANE – Personat që kanë ndërtuar pa leje nuk do të jenë më të detyruar të tërheqin lejen e legalizimit dhe më pas të regjistrojnë pronën në hipotekë. Kjo procedurë nga sot do të realizohet nga ALUZINI. Qytetarët çlirohen nga tarifa 5 mijë lekë dhe certifikata e pronësisë do t’u shkojë në shpi. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi sot e parashikon që personat që kanë ndërtuar pa leje, që kanë vetëdeklaruar dhe kanë paguar faturën për parcelën ndërtimore do të marrin tapitë e shtëpive nga ALUZINI.

Afati për pajisjen me certifikatën e pronësisë shkurtohet në 10 ditë nga data e miratimit të lejes së legalizimit. Personat që janë në proces legalizimi dhe kanë paguar rregullisht faturën energjisë elektrike gjatë gjithë vitit të fundit përfitojnë 10% zbritje nga fatura për pagesën e truallit. Këto janë ndryshimet kryesore të miratuara në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Në vendim përcaktohet se kërkesa për shërbimin e regjistrimit të lejes së legalizimit dhe për lëshimin e certifikatës së pronësisë, për pasurinë e legalizuar, paraqitet nga ALUIZNI në emër të përfituesit të lejes, sipas formularit të kërkesës, të miratuar nga ZRPP-ja.

Tapia
Për pajisjen me tapi të personave që kanë ndërtuar pa leje do të bashkëpunojë ALUIZNI dhe ZRPP-ja pa qenë nevoja të aplikojë vetë përfituesi. ALUIZNI dorëzon në ZRRP verifikimin e gjendjes juridike të pronës ku janë ngritur ndërtimet informale, përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, kartelave dhe hartave kadastrale, sipas blloqeve kadastralë ku janë ngritur ndërtimet informale dhe regjistrimin e lejes së legalizimit dhe të pasurisë së legalizuar. Kërkesa për informacion, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës (statusit juridik), dërgohet nga ALUIZNI pranë ZVRPP-së, jo më vonë se 10 ditë nga data e evidentimit faktik në terren (data e “Procesverbalit të evidentimit në terren”) dhe shoqërohet nga harta vektoriale në format shkresor dhe elektronik.

Ndërkohë ZVRPP-ja, brenda 15 ditëve nga administrimi i kërkesës, dërgon informacionin mbi gjendjen juridike të pronave në bllokun kadastral, në të cilin përfshihen: të dhënat mbi pronarin e pasurisë, harta kadastrale në format shkresor e elektronik dhe kartelat. Në VKM është sanksionuar se kur ZVRPP-ja nuk dërgon informacion, ALUIZNI vijon procedurat administrative për legalizimin e ndërtimit, duke kërkuar regjistrimin e tij. Kur zona kadastrale nuk i është nënshtruar regjistrimit fillestar dhe poseduesi i ndërtimit nuk disponon dokumentacionin që provon pronësinë mbi truallin, ALUIZNI vijon procedurat e kalimit të së drejtës së pronësisë, si në rastin e ndërtimeve informale të ngritura mbi truall “shtet”.

Leja
Subjektet përfituese të lejeve të legalizimit, që konfirmohet se kanë shlyer pagesat e furnizimit me energji elektrike gjatë një viti nga momenti i njoftimit të pagesës së parcelës ndërtimore, përfitojnë faljen e 10% të vlerës. Për subjektet debitorë, ALUIZNI i kërkon ZVRPP-së vendosjen e kufizimit mbi pasurinë e legalizuar. Leja e legalizimit, e lëshuar për projeksionin e soletës, ose të volumit të mbështetur vetëm në një krah (konsolës), regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.

Për regjistrimin e shtesës informale në lartësi, në pallatet me leje, ZVRPP-ja procedon sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Për këtë qëllim, ZVRPP-ja kryen shënimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme, për rishpërndarjen e kuotave të pjesëmarrjes mbi truallin e ndërtesës ekzistuese, si dhe mbi hapësirën e përbashkët (në bashkëpronësi të detyrueshme).
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: