20 vjetori i Autoritetit të Mediave Audiovizive bëri bashkë Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit dhe përfaqësues të AMA-s, në një konferencë për “Tregun e medias audiovizive dhe kuadrin rregullator.

Gentian Sala, Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovozive, në fjalën e tij përshëndetëse njohu pika të forta dhe të dobëta gjatë këtyre 20 viteve të AMA-s si institucion. Ai e vuri theksin e fjalës se tij se AMA këto pesë vitet e fundit ka hyrë në një hulli normale të organizimit institucional dhe që nga viti 2018 e këtej është i fokusuar tërësisht tek çështjet e programacionit.

Sala vlerësoi bashkëpunimin me Departamentin e Gazetarisë i cili i ka shërbyer institucionit për vendimmarrje të drejtë në përputhje me nevojat e tregut dhe me prirjen e audiencës.

Për këtë situatë, kreu i departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Artan Fuga tha se duhet që AMA të forcohet, pasi pavarësia e saj është e rëndësishme.

Ai e vuri theksin te detyrimi i mediave dhe institucione rregullatorë për të respektuar lirinë qytetare. Fuga, vlerësoi kontributin dhe shembullin që AMA ka dhënë në partneritetin mes institucioneve publike dhe forcimin reciprok të tyre.

Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi në fjalën e saj tha se duhet të mbrohen të drejtat e gazetarëve dhe renditi sfidat që ka sot media.

Prof. Assoc. Dr. Mark Marku, Përgjegjës i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT tha se Konferenca do të sjellë një panoramë më të plotë të tregut dhe peizazhit mediatik, por ajo po ashtu do të ndihmojë edhe për ta përmirësuar këtë panoramë. Marku prezantoi dhe sondazhin e realizuar nga departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit mbi median në Shqipëri.

Prof. Dr. Z. Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë solli në kujtesë një moment shumë të rëndësishëm në median shqiptare, atë të formimit të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit. Ky departament, tha ai, i ka dhënë një dimension të ri komunikimit dhe ka forcuar bashkëpunimin midis studiuesve të medias shqiptare por edhe me gjerë.

Konferenca u përshëndet edhe nga Z. Muja Ferati, Kryetar i Komisionit të Pavarur për Media të Kosovës, i cili vlerësoi bashkëpunimin me AMA-n dhe u shpreh shumë i interesuar për gjetjet e punime të konferencës, punime të cilat do të jenë me vlerë edhe për realitetin e Republikës së Kosovës.

Data 3 maj përkujtohet gjithashtu, në kalendarin e datave të shënuara si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb