NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Nesër është parashikuar cer emonia e zhvendosjes së eshtrave të mjeshtrit Ibrahim Kodra nga Ishmi ku prehet prej vitit 2006, për në Tiranë, ku një vendim i Ministrisë së Kulturës përcakton që do të rivarroset tek Kodrat e Liqenit. Ndërkaq, prej ditësh, banorët e Ishmit në Durrës kanë protestuar dhe janë shprehur se nuk do të lejojnë zhvendosjen e eshtrave të tij nga fshati i lindjes për në kryeqytet. Ibrahim Kodra u shua më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano dhe u varros në Ishëm në datën 10 shkurt, mbasi u soll me charter nga Italia, me shpenzime të Behgjet Pacollit. Atëkohë, trupi i pajetë u vendos paraprakisht në Teatrin e Operas ku u mbajtën homazhe, e mandej u dërgua në Ishëm.

BLUSHI -KUMBARO
Ditën e djeshme, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka qenë e pranishme në Komisionin e Jashtëm për miratimin e Marrëveshjes Kulturore me Gjermaninë, por prania e saj ka dërguar në këtë komision debatin për çështjen e zhvendosjes së eshtrave të Kodrës. Ka qenë deputeti Ben Blushi, i cili ka kërkuar ‘llogari’ për çështjen, sipas bisedës së mëposhtme. Ben Blushi, deputet i PS: Vendimi për ta sjellë në Tiranë është i arsyeshëm, ju e justifikoni, për t’i dhënë një përmasë më të madhe kombëtare, po kam përshtypjen se duhet folur me njerëzit atje, se duket sikur ka një përplasje të papërshtatshme. Pse duhet ta bëjmë pis një njeri si Ibrahim Kodra, duke u zënë qeveria me autoritetet lokale. Nuk është mirë, duhet folur dhe t’u shpjegohet se pse bëhet, nëse do bëhet.

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës: Na është treguar edhe me testamentin noterial të Ibrahim Kodrës, edhe me vullnetin e shprehur nga ai vetë para avokatit të vet, në të cilin kërkon që të varroset në qytetin e Tiranës ose të Durrësit në një vend të mirë. Kemi rreth 10 ditë që jemi në komunikim permanent me banorët, duke i shpjeguar të gjithë situatën juridike. Reagimin e shpjegoj emocionalisht. Në këto 10 vite që varri i Ibrahim Kodrës gjendej në Ishëm, nuk kemi në kujtesën tonë, nuk është kthyer në vend pelegrinazhi”. Ndërkaq, në një testament të publikuar nga TV “Klan”, nuk rezulton të ketë asnjë rresht ku piktori shprehet për vendin se ku do të varroset.

DEKLARATA E PACOLLIT
“Me shqetësim, por dhe mirëkuptim për banorët e Ishmit, ne mësuam për rezistencën e një grupi banorësh të fshatit Ishëm për të mos lejuar zhvendosjen e eshtrave të Mjeshtrit të madh drejt Tiranës”, ka thënë dje biznesmeni e politikani kosovar Behgjet Pacolli, njëherësh drejtues i fondacionit “Kodra”. Sipas tij, duke vlerësuar respektin e madh që banorët e Ishmit kanë për themeluesin e fondacionit, zotëri Behgjet Pacollin dhe Zotin Fazliun, bartësit e amanetit të Maestro Kodrës, ata garantojnë se: Ibrahim Kodra e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë. 10 vjet më parë, një mungesë koordinimi, mosinformimi në kohë, bëri që Mjeshtri të varrosej në Ishëm. “Bartësit e amanetit të Kodrës nuk kanë dashur të krijonin polemika publike me këtë fakt, por kanë kërkuar zyrtarisht që më në fund Maestroja të prehej në Tiranë.

Ata kanë zhvilluar korrespondenca me autoritetet shqiptare dhe kanë marrë premtime të vazhdueshme në favor të këtij amaneti nga dy krahët e politikës”, thuhet në sqarim, ku shtohet se sot që ky amanet po plotësohet, fondacioni shpreh bindjen se Ishmi do të vazhdojë të shërbejë si pikë pelegrinazhi për turistët e huaj nëpërmjet monumentit, apo objekteve të tjera përkujtimore në nder të Mjeshtrit Kodra. Vendosja e Ibrahim Kodrës, birit të shquar të Ishmit pranë Panteonit të Rilindësve në kodrat e Liqenit, është nder për Ishmin, për mbarë kombin tonë. I së njëjtës linjë ka qenë në vitin 2008, Fatos Faslliu, drejtues i fondacionit “Ibrahim Kodra”, se “kur erdhëm ne në Shqipëri, pas homazheve të bëra në Brera të Italisë, nuk na priti askush, ardhja jonë është bërë me shpenzimet e Behghet Pacollit, ndërsa varrimi i tij ka qenë shtetëror.

Unë nuk kam folur atëherë për të mos prishur opinionin e gjithë asaj çka ishte organizuar nga shteti për mjeshtrin. Ndaj për të mos prishur atmosferën e krijuar, homazhet dhe nderimet madhështore që iu bënë mjeshtrit, (të cilat ishin të tilla) si nga presidenti, kryeministri dhe zyrtarë të lartë të shtetit, nuk ngrita zërin. Por një arsye më e fortë se kjo ishte se unë nuk kisha të drejtë të flisja për aq kohë sa nuk ishte hapur testamenti i Kodrës. Në të thuhej se unë isha kurator i testamentit të tij. Por ditën e varrimit, i kam thënë komisionit të varrimit, që dëshira e tij nuk ka qenë të varrosej në Ishëm”, thotë Faslliu.

REAGIMET
Ish-presidenti Alfred Moisiu (i pranishëm në homazhet e mbajtura 10 vjet më parë) tha për “GSH” se nuk ka dijeni për amanetin. Ai shtoi se “duhet parë testamenti i tij se çfarë ka kërkuar”. Ndërkaq, ishkryeministri Sali Berisha, edhe ai i pranishëm në homazhet e ceremoninë e Kodrës 10 vite më parë, ka thënë se: “Ibrahim Kodra u varros 10 vjet me parë në Ishëm me praninë e autoriteteve të larta të vendit dhe drejtuesit e fondacionit ‘Ibrahim Kodra’ ishin të pranishëm dhe e shoqëruan në banesën e fundit pa paraqitur asnjë kërkesë për t’u varrosur në një vend tjetër”. Më tej, për mediat kanë folur edhe artistë të njohur si Gazmend Leka apo Zef Shoshi.

“Ma ka thënë mua këtë: Gazi kur të iki unë nga kjo botë, kam shumë dëshirë që të prehem në Ishmin tim ku të shoh detin, ku të shoh Tiranën, ku të shoh Krujën, ku të shoh dy kështjellat e Ishmi, si ka mundësi që Kodra na i ka lëshuar ne këto fjalë lart e poshtë, ndërkohë që nuk ekziston një testament”, është shprehur Gazmend Leka. Ndërkaq, piktori Zef Shoshi ka kundërshtuar zhvendosjen duke thënë se: “Ç’kuptim ka të lëvizet atje, kot. Është shumë bukur që qëndron në vendlindje. Por për fat të keq, ne artistët nuk na pyesin fare”. Një tjetër reagim kundra është ai i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, i cili ka deklaruar se “Ibrahim Kodra ka lënë amanet të varroset në Ishmin e tij historik. Ministria e Kulturës shpërnjeh sot amanetet e te vdekurve, edhe kur këta janë njerëz të shquar. Në fakt, duhet të ishte kjo ministri që të luftonte për mbajtjen e varrit aty ku është vendosur, pranë kalasë mesjetare të Ishmit, e jo ta lëndojë atë komunitet dhe peizazh sikurse veproi me kalanë e Prezës”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: