Nga: FATMIRA NIKOLLI*

Katër nga rreth 2000 libra të bibliotekës së humbur të Faik Konicës, i dorëzohen sot Bibliotekës Kombëtare nga Agron Alibali. Alibali është studiues dhe avokat që e ndan kohën midis Tiranës dhe Bostonit. Ata janë gjetur në SHBA falë pasionit, punës kërkimore të studiuesit Agron Alibali dhe në përgjigje të amanetit të vetë Konicës, i besohen Bibliotekës Kombëtare, duke lejuar kështu edhe pasurimin e koleksionit bibliotekar kushtuar veprës dhe personalitetit të Faik Konica pranë këtij institucioni. Puna e Alibalit do të kurorëzohet së afërmi me botimin e një monografie për Faik Konicën, mbështetur edhe në arkivën e tij diplomatike të zbuluar para disa kohë në Itali.
Librat
Librat e gjetur prej bibliotekës së Konicës bartin etiketën e famshme “Ex Libris” së tij dhe autografe dedikuese të autorëve për vetë Konicën. “Psallme murgu” të Asdrenit, “Popolo, lingua e letteratura albanese” e Gaetano Petrotës, edicioni luksoz i “Lahutës së Malcis” dhuruar po me dedikim latinisht nga vetë Gjergj Fishta etj., i shndërrojnë këto libra në bartës afektesh të shumëfishta, të cilave u shtohen edhe ato të bashkohësisë sonë. Vetë BKSH, e sheh këtë dorëzim si një akt themelues për të vijuar më tej me plotësimin e amanetit të Konicës, biblioteka ende e humbur e të cilit numëronte rreth 2000 tituj.
Një artikull që pati botuar në “Gazeta Shqiptare” pesë vite më parë, Alibali bënte me dije se “libri i parë, me Nr. Rendor 1928 është Lahuta e Malcís, nga P. Gjergj Fishta, O.F.M. 1938,511 faqe, shtypur në Shkodër në Shtypshkronjën Françeskane. Libri është me kapak të trashë dhe lidhje të posaçme të kuqe. Nuk ka shtampën EX LIBRIS, F.K. Ai përmban një përkushtim shumë të ngrohtë të autorit (në latinisht), At Gjergj Fishtës, drejtuar mikut të tij të ngushtë e të hershëm, Faik Konicës”.
Alibali sqaronte se fraza D.D.D është shkurtimi i latinishtes Dono Dedit Dedicavit, që është një formë përkushtimi e librit prej vetë autorit do të thotë, pra, se vetë autori “po e dedikon dhe dhuron librin. Botimi është luksoz, me buzë të praruara. Duket qartë se Konica kishte filluar ta lexonte atë. Sipas tij, leximi duhet të jetë ndalur në faqen 108. Një fletëtregues ndodhet i vendosur midis faqeve 108-109. Në faqen 108, rrethuar me të kuqe dhe nënvizuar shihen fjalët “Njiket” dhe “zverkun”…
Libri tjetër, me numrin Nr. Rendor 1927, është “Psallme Murgu, Vjersha”, e Asdrenit, Bukuresht, 1930, 223 faqe, i shtypur në Shtypshkronjën “Albania”, Constantza. Ky libër e ka shtampën “EX LIBRIS, F.K”. Me kapak të trashë në ngjyrë të kaltër, libri përmban përkushtimin e mëposhtëm në gjuhën shqipe: “Lerónjësit në ugarin e gjuhës edhę çvillónjësit të palodhur i letrësiës shqipe Shkčlqesës së Tij Z. Ministër Faik Konitza, kusht nderimit më të shquem nga ana e auktorit. Shtator 1931 Asdren”.
Një tjetër libër, është ai i autorit arbëresh Prof. Papas Gaetano Petrotta. Botimi titullohet “Popolo Lingua e Letteratura Albanese” a Tiratura con aggiunte e correzioni, [Populli shqiptar, gjuha dhe letërsia shqipe, Botim i dytë me shtesa dhe përmirësime] Palermo 1932, 528 faqe. Petrotta ishte Doktor në Letërsi. Libri kishte kopertinë të trashë të kuqërremtë dhe në pjesën e brendshme të saj ndodhej shtampa e famshme me në krye shënimin “EX LIBRIS”; në mes dhe në format më të madh ishin inicialet F.K të zbukuruara dhe të rrethuara nga dhjetë gjarpërinj kafshues. Në fund kishte dy vargje në greqishten e vjetër. Sipas At Fr. Arthur Liolin, përkthimi i tyre në anglisht ishte: “They say what they want to say, let them say, it does not hurt me”, që mund të shqipërohet lirisht si “Le të thonë ç’të duan për mua, unë s’e çaj kokën”. Agron Alibali, shkruan se nuk ka dyshime që kjo ishte shtampa e famshme e Konicës, të cilën e kishte përmendur At Artur Liolini më përpara. “Libri në fjalë përmban një përkushtim personal me shkrim dore dhe në shqip të autorit kushtuar Konicës. “Shkëlqesîs s’Tîj, Z. Faik Konitza, në shenj nderimi, Prof. Papas Gaetano Petrotta, 28/6/32”, sqaron Alibali.
Ndërsa sa i takon librit të katërt, Alibali shprehej se ai ishte “Këndime Englisht-Shqip or Albanian – English Reader”, by Margaret M. Hasluck, Cambridge, at the University Press, 1932, 145 faqe. “Ky vëllim është i vetmi ku shtampa e Konicës duket e shqitur. Gjurmë të saj shihen qartazi në anën e brendshme të kapakut. Botimi është jashtëzakonisht interesant. Studiuesja angleze ia kushton veprën mikut të saj Lef Nosit. Në parathënie mësojmë se përmbledhja me përralla pasqyron të folmen e Elbasanit dhe është hartuar me ndihmën e Parasqevi Gegnasit, Aleksandër Xhuvanit dhe Dhimitër Paparistos”, sqaronte në “GSH” Alibali.
Koleksioni i Konicës
Konica ishte shprehur disa herë dhe e kishte bërë të qartë se dëshironte që pas vdekjes të gjitha librat e tij t’i dhuroheshin Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Kjo jepet në mënyrë fare të qartë në dëshminë e shkruar të sekretares së tij private, Znj. Charlotte Graham. Me të vërtetë, ajo deklaronte se “Shumë herë z. Konica më kishte thënë se dëshironte që (librat) t’i shkonin Bibliotekës Kombëtare Shqiptare”. Dhe më tej: “Në njërën mënyrë ose tjetër, ky amanet duhet çuar në vend, dhe ndërkohë librat mund të katalogohen dhe të ruhen deri sa amaneti të përmbushet”. Përshkrimin e parë të Bibliotekës së tij Konica e ka dhënë në vitin 1899, kohë kur tregon se kishte filluar të koleksionojë libra më 1890, duke ngritur kështu “një bibliotekë të vogël me të gjithë librat e botuar nga ekspertë të huaj të Shqipërisë”. Ndërkaq, Apollinaire shkruante se Konica “kishte shitur gati tërë librat e vet për t’i zëvendësuar me botime të posaçme angleze me germa të vogla që mund të lexoheshin me lentë zmadhuese dhe kishte ngritur një bibliotekë të konsiderueshme, e cila mund të vendosej në një dollap të vogël”. Pas vdekjes së Konicës, Noli deklaroi se “biblioteka do të ruhet në magazinat e Fidelity Storage në Washington deri në fund të Luftës, kur pastaj do të dërgohet në Shqipëri sipas dëshirës së qartë të Faik Konicës”. Mendohet se ajo përmbante libra albanologjie.
Biblioteka e humbur
Kërkimet për Bibliotekën e Humbur të Faik Konicës (një koleksion i rrallë e me vlerë) Agron Alibali i ka filluar herët. Sipas tij, përveç katër librave të përmendur më lart, fati i pjesës tjetër të bibliotekës mbetet i panjohur. “Në fillim ishin numëruar mbi 3000 libra të Bibliotekës Konica kur i ruajtën ato në 33 arka druri dhe i magazinuan në Washington, D.C. Mirëpo në vitin 1956 në Kryekishën e Shën Gjergjit u “kyçën” në arka hekuri vetëm 1929 të tillë. Ç’u bënë të paktën 1071 të tjerë? Tre librat e gjetur në letrat e Qemal Panaritit ishin vallë pjesë e atyre njëmijë e kusur që nuk u ruajtën në bodrumet e Kishës?”, thotë Alibali. Ai bën me dije se sipas dëshmive, Biblioteka e Konicës u strehua në ndërtesën kryesore të Kryekishës së Shën Gjergjit dhe nuk mund të ishte futur në ndërtesat anësore, pra në atë të djegur.
Alibali ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Universitetin e Bostonit dhe në Universitetin e Harvardit dhe ka qenë anëtar i bordeve drejtuese të organizatave të ndryshme shqiptaro-amerikane si VATRA, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe MAAS BESA.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: