TIRANE – Ambasada Amerikane deklaron se nuk ka hartuar asnjë listë me deputetë shqiptarë, që janë të padëshiruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, ajo listë e publikuar nga disa media, me emrat e 9 deputetëve “non grata” është “tërësisht një trillim.

DEKLARATA E PLOTE E AMBASADES AMERIKANE NE TIRANE

Në deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë thuhet:

“Artikulli i botuar fillimisht në gazetën Rilindja Demokratike ditën e djeshme, i cili i referohej një liste me nëntë deputetë të Parlamentit që ishin cilësuar “non grata” nga Ambasada Amerikane, është tërësisht një trillim. Ambasada vëzhgon nga afër çështje që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin në të gjitha partitë politike, por Ambasada nuk e ka krijuar atë listë.

Ne përsërisim deklaratën tonë të 2 marsit dhe nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014.”

MEDIAT: 9 DEPUTETE SHQIPTARE, NE LISTEN E ZEZE TE SHBA

Në një lajm të publikuar nga disa media dje, që iu referua edhe BW, thuhej: “9 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dyshohet se janë futur në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një ditë pas lajmit se Ambasada Amerikane anulloi takimin me Grupin e Miqësisë Shqipëri – SHBA, për shkak se në përbërje të tij ka elementë të inkriminuar. Portali ekspres.al publikon një listë të deputetëve që SHBA nuk do të donte që të ishin më pjesë e këtij grupi. Janë të gjithë deputetë të mazhorancës PS – LSI, mes tyre edhe një grua. Sipas këtij portali, që u referohet burimeve konfidenciale pranë Kuvendit, bëhet fjalë për deputetët Artur Bushi, Pjerin Ndreu, Mark Frroku, Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Shkëlqim Selami, Gjovalin Kadeli e Luan Duzha nga LSI. Ambasada amerikane në Tiranë ishte e para që reagoi ndaj përjashtimit të Tom Doshit nga PS.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb