TIRANE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka reaguar për Byronë e Hetimit. Duke shprehur mbështetje për krijimin e një organi ligjzbatues me kapacitete të avancuara hetimore, Ambasada Amerikane thotë se “Byroja duhet të përputhet plotësisht me Kushtetutën”, ndërsa thekson se “Udhëzimet e Kushtetueses janë shumë të rëndësishme”.

Pas komenteve të autoriteteve shqiptare për Byronë e Hetimit, Ambasada Amerikane e pyetur nga “Zëri i Amerikës”, shpjegoi përmes një zëdhënësi se siç ka komentuar kohët e fundit edhe ambasadori Donald Lu, ajo “mbështet krijimin e një organi ligjzbatues me kapacitete të avancuara hetimore dhe autoritetin për të hetuar kriminelë apo zyrtarë të korruptuar në nivelet më të larta”.

“Zyrtarë të FBI nga SHBA së fundi ishin në Tiranë për të diskutuar krijimin e një Byroje Kombëtare të Hetimit dhe për të ndarë ekspertizën e tyre për të mbështetur përpjekjet për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Sigurisht, Byroja duhet të përputhet plotësisht me Kushtetutën e Shqipërisë, prandaj opinioni dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë do të jenë shumë të rëndësishme për të ndihmuar ligjvënësit shqiptarë që të përshtasin ligjin e tanishëm dhe për t’u siguruar që do të jetë kushtetues. Do të jetë e rëndësishme që çfarëdo ligji i rishikuar të hartohet në mënyrë tërësore dhe përfshirëse”, përfundoi zëdhënësi.

Ngritja e Byrosë kombëtare të Hetimit ka qenë një ndër premtimet e shumicës aktuale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Vendimi i Gjykatës kushtetuese, e cila rrëzoi javën e shkuar të gjithë kapitullin për Byronë, në ligjin për Policinë e Shtetit, ishte një surprizë e hidhur për qeverinë. Vendimi erdhi ndërsa ajo kishte kërkuar mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë, dhe kishte nisur ndërkohë kontaktet direkte dhe me FBI-në amerikane për të patur ndihmën e saj për vënien në funksion të kësaj strukture.

Gjykata njoftoi se e kishte konsideruar si “të papajtueshme me Kushtetutën”, ngritjen e Byrosë së Hetimit, ndërsa argumentat për vendimin e saj pritet të bëhen publik në javët në vijim.

(e.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb