Ambasada e Katarit në Tiranë zhvilloi një pritje festive në kryeqytetin shqiptar, me rastin e Festës Kombëtare të Shtetit të Katarit.

Në ceremoni morën pjesë krerë dhe drejtues të lartë të Shqipërisë, si Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, Ministrja e Punëve të Jashtme, krerët e përfaqësive diplomatike të akredituar në vend, si dhe shumë figura zyrtare e politike dhe përfaqësues të biznesit, medias artit etj.

Gjatë fjalës së tij me këtë rast, Ambasadori i Shtetit të Katarit në Shqipëri z. Ali bin Hamad Al Marri, tha se kremtimi i festës kombëtare nën moton “Uniteti Ynë Është Burimi i Forcës Sonë” vjen në përkujtim të themeluesit Sheikh Jassim bin Mohammed bin Thani, i cili krijoi themelet e shtetit modern të Katarit.

Kjo ditë pasqyron kohezionin e popullit të Katarit dhe rrënjos “sensin e krenarisë për identitetin dhe përkatësinë tonë kombëtare dhe mishëron unitetin, solidaritetin e besnikërinë nën udhëheqjen e mençur të Lartësisë së Tij Emirit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, që udhëheq marshimin e arritjeve dhe zhvillimit të gjithanshëm të vendit – vijoi ai.

Ambasadori vuri në dukje se festimi i Ditës Kombëtare këtë vit është i një rëndësie të veçantë pasi Shteti i Katarit po organizon Kupën e Botës FIFA Qatar 2022, duke u bërë në këtë periudhë kryeqyteti i botës dhe mirëpritet miliona vizitorë nga të gjitha anët e globit. Organizimi i suksesshëm këtij Botërori i tregoi botës aftësitë organizative, ekonomike dhe të sigurisë së Katarit dhe arritjet e tij të shumta e të prekshme në të gjitha fushat – shtoi ai.

Gjithashtu, Ali bin Hamad Al Marri theksoi slogani i sivjetshëm “Uniteti Ynë Është Burimi i Forcës Sonë” mishërohet praktikisht nga fakti se Botërori i Katarit 2022 bashkoi njerëzit dhe ndjenjat dhe konfirmoi se bota mund të unifikohet për të përballuar sfidat e mëdha aktuale dhe të ardhshme që na kanosen të gjithëve.

Ai tha se Katari është partner ndërkombëtar i besueshëm dhe se “beson në mbështetjen e nismave kolektive dhe veprimeve shumëpalëshe dhe është gjithmonë proaktiv në përgjigjen e krizave globale si siguria ushqimore, energjia, siguria, pandemia Covid-19 etj”, duke nënvizuar edhe vullnetin e Katarit për të mbështetur përpjekjet që synojnë promovimin e hapjes civilizuese dhe kulturore midis gjithë popujve.

Nga ana tjetër, Ambasadori nuk la pa përmendur edhe mbështetjen e vazhdueshme të Katarit dhe qëndrimin e tij të kahershëm pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar, veçanërisht gjatë kohëve të vështira, si fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia Covid–19.

Në mbyllje të fjalës së tij me këtë rast, Ambasadori theksoi se marrëdhëniet dhe lidhjet e miqësisë ndërmjet Shtetit të Katarit dhe Republikës së Shqipërisë janë të shkëlqyera e solide, si dhe konfirmoi vullnetin e përbashkët për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe popujve tanë miq.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: