TIRANE – Ambasada e SHBA-së i është përgjigjur kërkesës për ndihmë të Qeverisë shqiptare për zonat e përmbytura në jug të vendit. Kjo ambasadë njoftoi sot se nëpërmjet Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, do të ofrojë deri 750 000 dollarë si ndihmë teknike dhe financiare shtesë për të prekurit nga përmbytjet e fundit në zonat bujqësore.

USAID tha se “do të punojmë ngushtë me autoritetet vendore dhe organizatat joqeveritare shqiptare në përpjekjet e kapërcimit të situatës dhe do të mbështesim fermerët e prekur në industritë e frutave dhe ullinjve, si dhe ata që kanë humbur sera dhe bagëti nga ujrat e përmbytjeve.”

Drejtuesit e USAID kanë vizituar shumicën e zonave të prekura dhe kanë mbajtur kontakte të ngushta me autoritetet qendrore dhe vendore dhe femerët e prekur gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë për të gjetur mënyrat më të mira për të ndihmuar.

“Mendimet tona, – thanë ata, – janë pranë familjeve të shumta shqiptare që kanë humbur shtëpitë, fermat dhe bagëtitë si rezultat i këtyre përmbytjeve të tmerrshme dhe shpresojmë që këto ndihma do të mund të ofrojnë njëfarë mbështetjeje të shpejtë për familjet dhe do të ndihmojnë për restaurimin e disa prej zonave të prekura bujqësore.”

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb