Ambasada amerikane në Tiranë zbardh detaje nga takimi i kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Përmes një mesazhi në “Facebook”, ambasada amerikane thekson se temat kryesore të diskutimit kanë qenë integrimi i Shqipërisë në BE dhe zbatimi i reformave kyçe, si ajo e Drejtësisë dhe ajo Zgjedhore.

Gjithashtu, siç njofton ambasada, në fokus të diskutimeve mes Ramës dhe Pompeos kanë qenë edhe prioritetet e përbashkëta të dy vendeve gjatë kryesimit të OSBE nga Shqipëria, por edhe lufta ndaj aktivitetit keqdashës të Iranit.

“Sekretari i Shtetit Michael R. Pompeo u takua me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dje në Uashingon. Sekretari Pompeo dhe Kryeministri Rama diskutuan mbi prioritetet e përbashkëta gjatë kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nga Shqipëria. Sekretari nënvizoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe përpjekjet e vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Sekretari gjithashtu përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për të ndarë barrën e detyrimeve në NATO, për luftën ndaj aktivitetit keqdashës të Iranit dhe për marrjen përsipër të një roli udhëheqës rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimeve të së ardhmes”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb