Takimet lidhur me procedurat për vizat me qëllim fillimin e punësimit në shtetin gjerman sipas Rregullës për Ballkanin Perëndimor, janë duke u stërzgjatur me mbi një vit pritje në ambasadën gjermane në Prishtinë.

Arsyeja e kësaj, sipas një përgjigje të Ambasadës dhënë për Indeksonline, thuhet se janë kapacitetet e pakta krahasuar me kërkesat e parashtruara për viza.

“Njoftimet lidhur me kohët e pritjes për takime, Ambasada Gjermane në Prishtinë i publikon në ueb-faqen e saj. Ambasada Gjermane vitin e kaluar i ka shtuar dukshëm kapacitetet e saj për përpunimin e aplikacioneve për viza, mirëpo kërkesa për viza edhe më tej i tejkalon kapacitetet, ashtu që kohët e pritjeve janë të pashmangshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq në ueb-faqen e saj, jepen detaje të llojeve të vizave dhe koha e pritjes. Aty thuhet se nëse e paraqisni sot kërkesën për takim, ju duhet të llogaritni siç parashikohet me këto kohë të pritjes:

Vizë Shengen – 6 muaj

Viza për shkollim/kualifikim/Kartoni i kaltër i BE-së/Studime në Gjermani – 3 muaj

Viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullës për Ballkanin Perëndimor – më shumë se një vit

Vizë për bashkim familjar – 10 muaj

Vizë me qëllim punësimin sezonal për studentë – 5 muaj

Ndërkaq shqetësues mbetet shqyrtimi i ngadaltë që Ambasada i ka bërë kërkesave për vizë pune, kjo për shkak siç thonë ata të kapaciteteve ta pa mjaftueshme.

Ambasada këto ditë ka në shqyrtim aplikimet e muajit Maj të 2017-ës.

Mbi 12 muaj pritje për një përgjigje për vizë të punës nga Ambasada e Gjermanisë, po u prish punë edhe vetë aplikuesve, sepse sipas tyre firmat apo bizneset si palë garantuese në këtë rast, nuk janë në gjendje të presin mbi një vit për të marrë një punëtor nga Kosova.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb