NGA EGLANTINA ALLIAJ

TIRANË- Kuvendi miratoi me 75 votat e deputetëve të maxhorancës projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”. Gjatë diskutimit, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, tha se ligji synon përmirësimin e funksionimit të tij, përmes misioneve diplomatike, vendosjen e kritereve për emërimet që do të bëhen sipas meritokracisë, si dhe trajtimin financiar të diplomatëve. Ndërkohë Bushati tha se afati 30 ditor që i caktohet presidentit për tu shprehur për një ambasador nuk prek kompetencat e tij.

“Një afat 30 ditor, nuk prek aspak kompetencën e presidentit të republikës në drejtim të kandidaturës së propozuar nga kryeministri, ky afat aplikohet edhe për funksione kushtetuese që emërohen nga Presidenti i Republikës”, tha Bushati.

Ndërsa kryetarja e Komisionit të Jashtëm Arta Dade shprehu rezervat e saj lidhur me këtë ligj, qëndrim që u duk edhe gjatë votimit, ku abstenoi në nenet 27 dhe 31, nene të cilat kanë të bëjnë me emërimet në diplomaci, ku hiqet kuota 80% diplomatë karriere dhe 20% persona nga jashtë sistemit në bazë të karrierës.

“Ky ligj mori gjithë kohën e vet dhe diskutimet dhe debatet që në ndonjë rast u bënë edhe të nxehta kanë të bëjnë me shqetësimin dhe angazhimin serioz të kësaj mazhorance për ta ngritur diplomacinë në parametrat e standardet europiane. Komisioni ka shprehur shqetësimin se neni 27 pika 2 e bën diplomacinë vulnerabil ndaj politikes. Jo se paragjykojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme, por ligjet s’bëhen për 2­3 vjet, por për afat më të gjatë. Në raste të veçanta kur mund të gjenden subjektivizma për emërime. Shërbimi i jashtëm duhet mbrojtur nga çdo tentativë për t’u kthyer në një shërbim politik. Ligji s’duhet të jetë kompensim për shërbime ndaj forcave politike që drejtojnë shtetin në një moment të caktuar. Ligji për shërbimin e jashtëm duhet çliruar nga kufizimet e politikës nga mungesa e profesionalizmit e integritetit, neni 27 lë hapësira për abuzivizëm, pra ligjet hartohen jo për 2 dhe 3 vjet. Shpresojmë që qeveria ti japë vendit një diplomaci në shërbim të interesave të vendit dhe të kombit”, tha Dade.

Sipas projektligjit, kandidaturat për kreun e misionit diplomatik dhe postit konsullor shqyrtohen nga një komision i posaçëm, i cili i propozon ministrit të Punëve të Jashtme kandidaturën më të përshtatshme. Ndërkohë Komisioni i posaçëm emërohet nga Ministri i jashtëm dhe përbëhet nga pesë anëtarë.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb