TIRANE– Ambasadori i SHBA në vendin tonë, Donald Lu, dhe kryetari i pranisë së OSBE, Bernd Borchardt, i janë drejtuar mëngjesin e sotëm selisë blu, për t’u takuar me kreun e PD-së Lulzim Basha. Temë e takimit 90 minutësh, i cili nisi rreth orës 10:30, kanë qenë zhvillimet më të fundit politike në vend dhe zgjedhjet parlamentare.

Gjatë ditëve të fundit ka patur diskutime mes partive politike sa i takon votimit dhe numërimit elektronik të votave.

PD e konsideron aplikimin e teknologjisë, si e vetmja garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ky takim i kreut të opozitës me dy ambasadorët e SHBA dhe OSBE vjen pas një situate të trazuar politike në vend, pasi një ditë më parë kryeministri Rama shkarkoi nga detyra ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani.

“Zhvillimet e fundit, ku ministra të qeverisë kanë konfirmuar problemet e ngritura nga opozita për kriminalizimin e qeverisjes, të shtetit, të pushtetit lokal, të policisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, faktet e dala për lidhjen e figurave kryesore të mazhorancës me kokat e krimit të organizuar, janë dëshmi e fuqizimit të krimit dhe mosshkëputjes së mazhorancës nga krimi.

Po ashtu, refuzimi për të pranuar votimin dhe numërimin elektronik, është provë e qartë e mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës për zgjedhje të lira e të ndershme.

Mobilizimi i kontigjentit kriminal të lidhur me trafikun e drogës me mbështetjen e krerëve të policisë, futjave e parasë së krimit, moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, kapja dhe vënia e medias nën tutelën e qeveverisë, janë shenjat e përpjekjes së qeverisë për të dhunuar zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e PD.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri të qartë ambasadorëve se opozita është e vendosur të bëjë gjithcka për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Votimi dhe numërimi elektronik është e vetmja rrugë për kthimin e besimit tek vota e lirë. Të njëjtën rëndësi për të siguruar zgjedhje të lira, ka edhe zbatimi i dekriminalizimit, liria e medias, dhe transparenca mbi financat e fushatës zgjedhore. Zgjedhjet e lira e të ndershme, janë një nevojë jetike për stabilitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë”, theksoi Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb