NGA ILIR SINANAJ

TIRANE- Për të dytin vit radhazi janë shpërndarë çmimet e Indeksit LGBTIQ të Barazisë në Punë për kompanitë shqiptare. Indeksi LGBTIQ i Barazisë në Punë është konceptuar nga kompania shqiptare e rekrutimit e themeluar nga sipërmarrësi Elton Ilirjani, e cila ka shtrirje ndërkombëtare. Indeksi LGBTIQ i Barazisë në Punë është një studim, i cili vlerëson politikat dhe praktikat e kompanive shqiptare lidhur me punëkërkuesit dhe të punësuarit të komunitetit LGBTI.

Çmimet e Indeksit LGBTIQ të Barazisë në Punë u shpërndanë gjatë një mbrëmje gala të zhvilluar të martën (05 shtator 2017) në Pallatin e Brigadave. Të pranishëm ishin edhe ambasadorë të shumtë, të cilët shpërndanë çmimet dhe certifikatat e vlerësimit, për kompanitë shqiptare me standarde të larta për sa i përket respektimit të drejtave të njeriut si edhe për pasjen e një mjedisi miqësor për personat e komunitetit LGBTIQ.

Numri i kompanive pjesëmarrëse në Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë u rrit krahasuar me një vit më parë, e për rrjedhojë konkurrenca ishte më e fortë. Ndërkohë, nga kompanitë pjesëmarrëse 3 morën certifikata vlerësimi, 3 morën Çmim Bronzi, 2 morën Çmim Argjendi, dhe dy më të mirat morën Çmim të Artë.

Sipërmarrësi Ilirjani vlerësoi mbështetjen e ambasadorëve për Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë, duke bërë thirrje për mbështetje morale nga ana e publikut shqiptar, që sipas tij është shumë i nevojshëm për komunitetin. Gjithashtu ai vlerësoi rritjen e kompanive pjesëmarrëse në Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë.

“Nga 71 kompani në vitin 2016 kemi 109 kompani në vitin 2017. Një rritje e madhe. Një garë që sapo ka filluar. Besoj se në vitin 2018 do të jetë edhe më e egër. Kemi 10 fitues dhe kemi një rritje me 5%, ose një pastrim 5% i injorancës. Diskriminimi që i bëhet këtij komuniteti (LGBTIQ) vjen nga injoranca, vjen nga padia. Prandaj edhe unë sot edhe një vit më parë dhe çdo vit do të dal hapur të them që jam krenar që jam gay dhe nuk më tremb aspak. Nuk më ofendojnë komentet e gazetarëve; që mund të duket e çuditshme. As ato të portaleve të çuditshme që e kthejnë jetën në qejf apo në jo qejf. Unë përsëri do të vazhdoj të jem gay sepse nuk ndryshoj veten time. Dhe shoqëria shqiptare duhet të mësohet me njerëz të suksesshëm që janë gay”, u shpreh ai.
1

Gjithashtu sipërmarrësi Ilirjani u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të suksesshëm që i përkasin komunitetit LGBTIQ, të cilët për një arsye apo një tjetër qëndrojnë të fshehur, të dalin hapur edhe të mos kenë ndrojtje për të pranuar publikisht veten tyre me të gjitha veçoritë e tyre, që i bën ata të jenë ata që janë.

“I bëj thirrje të gjithë personave që janë gay, të këtij komuniteti, që rrinë të fshehur dhe që kanë një sipërmarrje dhe janë të suksesshëm, apo kanë një diplomë të një universiteti prestigjioz në botë, të shprehen hapur. Mua nuk më gjeti gjë. Jam ende në Shqipëri dhe kam një veprimtari sipërmarrëse edhe më të madhe dhe biznesi nuk është dëmtuar”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër sipërmarrësi Ilirjani shprehu trishtim për faktin se disa kompani nuk donin të merrnin pjesë në Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë, për shkak të perceptimeve të krijuara nga paragjykime shoqërore.

“Jam shumë i trishtuar për kompanitë që patën turp të marrin pjesë dhe ishin në dilemë ta merrnin çmimin se ishte turp. Ato që mendonin se biznesi i tyre do të dëmtohej. Aspak! Aspak nuk dëmtohet. Të punësosh persona gay ndonjëherë është vlerë e shtuar. Shqipërisë nuk i vijnë problemet nga komuniteti ynë. Shqipërisë i vijnë probleme nga shumë anë të tjera. Ne jemi ngjyra e shoqërisë Jemi ngjyrë, jemi buzëqeshje, jemi vlerë e shtuar”, theksoi ai.

Gjatë mbrëmjes gala të ndarjes së çmimeve për Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë, sipërmarrësi Ilirjani u shpreh se ky Indeks do të zbatohej edhe në Bosnje-Hercegovinë për herë të parë këtë vit. Për më tepër, ai deklaroi se do të shkonte në tetor në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, me synim zgjerimin e idesë së zbatimit të këtij Indeksi.

Komuniteti ndërkombëtar

Në mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve për Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë, ambasadorët e pranishëm shprehën vlerësim për punën e kryer nga kompania e sipërmarrësit Ilirjani, si edhe shprehën mbështetje për komunitetin LGBTIQ.

Ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schultz,
vlerësoi eventin e organizuar për ndarjen e çmimeve për Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë, duke uruar suksese për nismën dhe rolin që do të luajë për të ndryshuar perceptimet.

“Dua të theksoj se Gjermania i kushton vëmendje të madhe barazisë së të drejtave të komunitetit LGBTI. Dhe besoj se ky event dhe aktivitetet tuaja do të kontribuojnë së tepërmi për të krijuar ndërgjegjësim publik dhe për të luftuar diskriminimin e minoriteteve seksuale. Kështu i uroj kësaj nisme gjithë të mirat dhe shpresoj të ndikojë dhe me kalimin e kohës të ndryshojë perceptimet në Shqipëri dhe Evropë”, tha ajo.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Bryan Williams,
ka shprehur mbështetjen e madhe të organizatës që përfaqëson për komunitetin LGBTI, duke shpalosur edhe projekte të ardhshme që priten të ndërmerren, për sa i përket kësaj çështjeje.

“Organizata e Kombeve të Bashkuara si edhe Komisioneri i Lartë i të Drejtave të Njeriut mbështet këtu në Shqipëri fushatën “Free&Equal”, për të cilën do të punojmë me gazetarë. Do të zhvillojmë disa takime rajonale në të gjithë vendin. Kjo është një kauzë për të cilën jemi krenarë të jemi pjesë”, deklaroi ai.

Ambasadori i Suedisë, Johan Ndisi, vlerësoi kompanitë pjesëmarrëse në Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë dhe theksoi ndikimin pozitiv që hapja ndaj shumëllojshmërisë në shoqëri ka për kompanitë.

“Të drejtat janë për të gjithë. Bota është e shumëllojshme prandaj na duhet shumëllojshmëria. Shumëllojshmëria ka kuptim ekonomik. Ato kompani që e kuptojnë këtë, ato janë kompanitë që do të mbijetojnë të nesërmen”, theksoi ai.

Ambasadorja e Vendeve të Ulëta, Dewi Van Der Weerd, vlerësoi veprimtarinë e kompanive, por edhe të aktivistëve, që punojnë për një mjedis më miqësor dhe pranues për personat e komuniteti LGBTI. Gjithashtu ambasadorja Dewi Van Der Weerd vlerësoi ndikimin pozitiv të Indeksit LGBTIQ të Barazisë në Punë.

“Mendoj se kjo është një ide e mrekullueshme. Gjithashtu mendoj se ju po ua bëni shumë të qartë të gjitha kompanive, që këto politika janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët”, tha ajo.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman,
e vlerësoi idenë e Indeksit LGBTIQ të Barazisë në Punë, duke shprehur edhe rëndësinë ekonomike që ka një mjedis që u lejon njerëzve të jenë vetvetja.

“Mendoj se çka është e vërtetë të thuhet është se një kompani kërkon një forcë pune prodhimtare. Dhe forca e punës më prodhimtare është një forcë prodhuese, e cila i lejon njerëzit të jenë vetvetja. Dhe në këtë drejtim po zhvillohet edhe ky Indeks”.
3

Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch,
theksoi rëndësinë që të zbatohen nismat që ndihmojnë në pasjen e një ambienti miqësor për personat e komunitetit LGBTI tek kompanitë.

“Një gjë janë organizatat ndërkombëtare që miratojnë rezoluta, dhe qeveritë që miratojnë ligje. Por ajo që ka me të vërtetë rëndësi është që të gjitha kompanitë t’i vënë ato në zbatim. Përgëzime të gjitha atyre kompanive që morën pjesë në Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punë. Dhe shpresoj që vitin e ardhshëm numri i pjesëmarrësve të dyfishohet”, theksoi ai.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, vlerësoi përpjekjen e komunitetit LGBTI për të pasur një shoqëri sa më të drejtë, duke shprehur mbështetjen maksimale të Bashkimit Evropian për këtë komunitet.

“Kompanitë e zgjuara, kompanitë që duan të rriten ashtu si njerëzit e zgjuar, njerëzit që duan të rriten gjithmonë zgjedhin cilësinë në vend të paragjykimeve. Dhe vlerat tuaja janë vlera themelore të Bashkimit Evropian. Ju e dini që nuk jeni të vetëm, por thjesht dua ta dini se sa krenarë jemi të punojmë me ju”, tha ajo.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu,
vlerësoi punën e bërë nga kompania e sipërmarrësit Ilirjani, për sa i përket Indeksit LGBTIQ të Barazisë në Punë të konceptuar nga kjo kompani. Gjithashtu ai shprehu mbështetje për komunitetin LGBTI.

“Sot u afrojmë mbështetjen tonë udhëheqësve shqiptarë që kanë folur hapur në mbështetje të të drejtave të LGBTI-ve, përfshirë Edi Ramën, Sali Berishën dhe shumë drejtuesve të OJQ-ve dhe të korporatave të Shqipërisë. Tani Shqipëria ka nevojë për veprime konkrete që përputhen me këto fjalë, veprime për të mbrojtur të drejtat themelore, për t’i mbrojtur ata nga situatat familjare abuzive dhe shfrytëzimit seksual, si edhe mbështetje nga ana e qeverisë dhe e sektorit privat për shërbime për komunitetin LGBTI”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb