Nga: MENTOR KIKIA*
Ambasadores amerikane në Prishtinë, Jakobson, mund t’i jetë dashur të bëjë disa prova derisa të mësonte artikulimin e një shprehjeje në gjuhën shqipe, të cilën ua tha politikanëve kosovarë në një takim, kur ata nuk po binin dakord të krijonin qeverinë edhe disa muaj pasi kishin bërë zgjedhjet. “Mos e dhini më” – tha ajo shqip. Ndërsa ambasadori Donald Lu, u vonua gati një vit të marrë detyrën në Tiranë si pasojë e mosmarrëveshjeve politike në Uashington mes Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit. Këtë kohë ai pa dyshim që nuk e humbi kot, por ka mësuar më shumë mbi Shqipërinë dhe politikën e saj. Madje ka mësuar edhe shqipen, dhe kjo duket se e ka ndihmuar për të qenë më i “qartë” dhe më “i drejtpërdrejtë” në komunikimet mes Ambasadës Amerikane dhe politikës. Të flasësh shqip, nuk nënkupton vetëm të flasësh në gjuhën shqipe, por edhe t’i thuash gjërat troç.
Kjo u duk në komunikatën e parë të kësaj ambasade për çështjen “Doshi”. Sapo grupi parlamentar socialist vendosi përjashtimin e z. Doshi, ambasada nuk vonoi të flasë “shqip”, duke thënë se e mbështet këtë vendim, dhe se edhe parti të tjera duhet të bëjnë të njëjtën gjë, t’i largojnë nga gjiri i tyre politikanët e inkriminuar. Z. Doshi tha se nuk ka asnjë rekord kriminal, por ambasada nuk reflektoi asgjë nga deklarata që kishte bërë. E njëjta gjë ndodhi edhe ditën që prokuroria shpalli kërkesën drejtuar Kuvendit për të arrestuar deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Ambasada Amerikane bëri një deklaratë ku theksonte se “kjo është një mundësi e rëndësishme për të demonstruar se asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin”, duke u bërë thirrje prokurorisë dhe gjykatës për një proces të drejtë dhe të thellë ligjor.
Ka shumë njerëz që mendojnë se këto janë punët e brendshme të Shqipërisë dhe një ambasadë e huaj nuk ka pse as të nxisë e as të frenojë procese që lidhen edhe me të bërit e drejtësisë. Kjo mund të duket e drejtë, por prej çerek shekulli, diplomatët e huaj kanë qenë pika e referimit në Tiranë për të certifikuar, nga procesi zgjedhor deri te një grindje politikanësh, se kush ka të drejtë. Veçanërisht Ambasada Amerikane ka pasur një rol, të cilin, edhe e ka luajtur, edhe ia kemi kërkuar dhe e kemi besuar, jo vetëm si vendi më me ndikim në botë dhe superfuqia ekonomike e ushtarake, por edhe për rolin që ka luajtur në momente kyçe të historisë sonë. Megjithatë, lajmi në këtë histori nuk është roli i kësaj ambasade në zhvillimet tona të brendshme, por qartësia dhe gjuha e të folurit së fundmi.
Disa vite më parë, deputeti Doshi s’e pati për gjë të “shtrinte” krahun dhe të qëllonte me grushta në hollin e “Sheratonit” një gazetar që kishte zbuluar se ku dhe si ishte diplomuar ai. Kjo mjaftonte që ai të dorëzonte mandatin e të kthehej te punët e tij të biznesit. Atë kohë, ambasada e SHBA-ve bëri një deklaratë “diplomatike”, pra jo “shqip”, duke thënë se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk duhet toleruar nëse e shkel atë. Por askush nuk e lexoi dhe kuptoi atë gjuhë; Toma vazhdoi të ishte deputet i fortë. Në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare, ambasada e SHBA-ve, sipas burimeve jozyrtare, shkroi sërish një letër, nga ato për të cilat vetëm flitet dhe nuk shfaqen publikisht, ku sërish jo “shqip”, kërkohej që njerëzit me akorde kriminale apo njerëzit me precedentë në drejtësi të mos përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë. …Toma u bë sërish deputet. Por u desh që ujërat e zeza të shpërthenin vetë duke dalë nga puseta dhe atëherë diplomatët amerikanë nuk ngurruan t’u vënë emra atyre që më herët i kishin cilësuar si “njerëz me precedentë” apo “njerëz që duhet të jenë të barabartë para ligjit”. Ambasada e SHBA-ve nuk ngurroi as të pastrojë listën e miqve të SHBA-ve në parlamentin shqiptar, duke hequr ata që në radhë të parë nuk duan Shqipërinë e pale të duan Amerikën.
E di që kjo është shumë, por ne si shoqëri na rezulton se kemi pak mundësi për t’i larguar të inkriminuarit nga politika. Pra ne po kërkojmë që ambasada t’u vërë emra deklaratave që bën, ose më saktë t’i shkruajë ato shqip, që në fillim. P.sh., nëse dy deklaratat e para do të kishin qenë në “shqip” që në fillim, atëherë ne të gjithë do e kishim kursyer kohën dhe energjinë që po harxhojmë në media, në protesta, në rrugë, në kafene e kudo duke u marrë me çështjen “Doshi-Frroku-Toni-Duri…”. Mbështetja që Ambasada Amerikane u dha përjashtimit nga grupi dhe kërkesës për arrestimin e tyre shoi çdo shpresë që personazhet e kësaj telenovele dramatike të besojnë te ndonjë “hetim ndërkombëtar” i pavarur. Por a janë vetëm Doshi dhe Frroku e keqja e këtij parlamenti? Mund të jenë më tipikët, por kurrë të vetmit! A do të bëjnë dot një ligj për dekriminalizimin deputetët? Unë nuk besoj, dhe më shumë se kaq nuk besoj që do ta zbatojnë. Pasi të gjithë mendojnë se po e bëjnë për të tjerët ligjin dhe jo dhe për vete. Këtë punë do e bënte shumë mirë votuesi, por edhe atyre ua kanë hequr këtë të drejtë. Pasi ata votojnë partitë dhe deputetët i emëron partia. Nëse deputetët do të votoheshin drejtpërdrejt, atëherë shumë nga tregtarët e naftës, të pulave, të betonit, artikujve ushqimorë me shumicë etj., nuk do të ishin në karriget e deputetëve. Pale pastaj ata që i tundin vendimet e gjykatave njëri-tjetrit për dënime për trafik klandestinësh apo trafik droge.
Ne jemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe partitë janë përballë alternativës “vetëm fitore”. Dhe kjo nënkupton se kandidat do të jetë ai që siguron votat. Nuk ka rëndësi se si, me taraf, me lekë, me shkëmbim mallrash, me kërcënime apo çfarë. Ai që fiton, ai është më i miri, pavarësisht nëse ka apo s’ka ndonjë ide për qeverisjen e njësisë që do të drejtojë. Për pasojë, ne kemi nevojë që të flasim shqip. Shqip nga të gjithë. Në rast se në garë do të hidhen njerëz me rekorde kriminale, të çfarëdolloji, jo vetëm në fushën e krimit kundër personit, opozita duhet të flasë shqip kundër kandidatëve të mazhorancës dhe mazhoranca duhet të flasë shqip kundër kandidatëve të opozitës. Por edhe diplomatët duhet të flasin shqip që tani, nëse kanë mjaftueshëm informacion, pa pritur që ata të mandatohen, të bëjnë zullumin dhe më pas të përshëndesin arrestimin, pasi ata t’ia kenë bërë gjëmën popullit.
(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: