SERBI-Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, në televizionin e Beogradit N1, duke folur për negociatat e Beogradit dhe Prishtinës, ka theksuar se ato nuk po zhvillohen me shpejtësinë e rrufesë, por derisa të rrokullisen është mirë, transmeton Koha.net.
Kirby ka theksuar se secila palë duhet të përmbushë ato për të cilat janë zotuar.

“Prishtina ka pranuar të formojë gjykatën për krime lufte dhe atje po punohet për këtë bashkë me holandezët. As ju këtu [në Beograd] nuk i keni zgjidhur të gjitha problemet, i keni strukturat paralele. Gjërat e vështira nuk ndodhin brenda natës”, ka thënë ambasadori Kirby.

Në pyetjen pse SHBA-të nuk shfrytëzojnë ndikimin e vet në Prishtinë për t’u përshpejtuar disa gjëra, Kirby është përgjigjur se SHBA-të kanë marrëdhënie të mira me Kosovën si dhe ndikim në të, por njerëzit nuk mund të detyrohen të bëjnë diçka.

“Kjo nuk është diplomaci, ka thënë ai. “Marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën do të arrijnë pikën e duhur kur të tejkalohen krimet e luftës. Bashkërisht mund të shkoni përpara dhe kjo do të ndodhë. Ne duam t’ju ndihmojmë që të ecni përpara”.

Ai ka zbuluar edhe se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiç, do të takohen më 27 janar të vitit që vjen. Por, nuk tregoi për temat që do të trajtohen me këtë rast.

“Deri më atëherë mendohet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të konstatojë kushtetutshmërinë ose jo të Marrëveshjes së 25 gushtit që ka të bëjë me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë ai.

Beogradi zyrtar po insiston në zbatimin e plotë të kësaj Marrëveshjeje. Ndërsa, opozita e bashkuar e Kosovës tash e tre muaj po kundërshton këtë marrëveshje si deh atë për demarkacionin me protesta e me bllokim të punës së Kuvendit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: