BEOGRAD- “Serbët janë pak skizofrenikë, sepse zemrat e tyre ende rrahin për Lindjen, ndërsa kokat e tyre çojnë nga Perëndimi”, ka thënë ambasadori i SHBA-ve në Serbi Michael Kirby.

Duke folur në një intervistë për Televizionin serb B92, Kirby e ka përshkruar kryeministrin Aleksandër Vucic si një lider që preokupohet për të ardhmen e vendit të tij.

“Aleksandër Vuçiç është një lider që brengoset për popullin e tij. Ai po përpiqet që t’i çojë serbët në Europë, por ata janë pakëz skizofrenikë në këtë aspekt. Ende u rreh zemra për Lindjen”, ka thënë ambasadori Kirby.

Sipas tij, dilema mes Rusisë dhe Europës është një farsë e cila u është vënë serbëve përpara, por në realitet ajo nuk ekziston.

“Do të vazhdoni të keni miqësi me të dy vendet, por pyetja nuk është më tek miqësia, sa është tek interesat strategjike të Serbisë. Duhet që t’i implementoni reformat që janë të kërkuara nga Evropa dhe të afroheni nga Evropa. Të tjerat janë opsione të rreme”, ka shtuar ambasadori Kirby.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: