TIRANE

Pak ditë më parë, Rumania mori kryesimin e Bashkimit Europian, por nuk ka kaluar veçse pak më shumë se një dekadë, kur ajo ishte në prag të hyrjes në familjen e madhe europiane. Kriza politike dhe ekonomike që kishte përfshirë vendin e bënte të vështirë përballjen me sfidat e reja, që sillte anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Ambasadori Dashnor Dervishi e ka përjetuar nga afër këtë situatë, kur shërbente në përfaqësinë diplomatike shqiptare atje dhe në këtë fazë të re për Rumaninë, na kthen pas në kohë, duke na treguar “prapaskenat” politike dhe vështirësitë, me të cilat u përballën rumunët në vitin e parë të anëtarësimit.

Përplasjet mes Presidentit dhe Parlamentit, votimi kundër Basescu-t dhe referendumi në favor të tij, përmes kujtimeve të ambasadorit. E gjithë situata në Rumaninë e asaj kohe duket sikur po përsëritet sot në Shqipëri. Ka një ngjashmëri në gjendjen e atëhershme të Rumanisë me gjendjen e sotme të Shqipërisë. Edhe pse situata të vështira, sot, kur Rumania merr presidencën e BE-së, duket se ka shpresë që çdo ngërç mund të kalojë dhe perspektiva europiane e Shqipërisë do të qartësohet.

Vijon nga numri i kaluar

DASHNOR DERVISHI/ Ambasador

GJENDJA POLITIKE E RUMANISË NË VITIN E PARË SI ANËTARE E BE

Ngjarjet kryesore që vijuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, kishin të bënin kryesisht me pasojat e futjes së Rumanisë në BE më 1 janar dhe vazhdimi me krizën politike, gjë e cila çoi në krijimin e një qeverie të re, si dhe në zhvillimin e referendumit për votëbesim për Presidentin. Kriza politike në vend, që ishte e pranishme gjatë gjithë vitit 2006, u shfaq më e thellë vetëm mbas aktit të anëtarësimit të Rumanisë në BE. Mbas shkarkimeve të njëpasnjëshme të disa ministrave, si rezultat i konflikteve midis Presidentit dhe Kryeministrit, gjatë muajve mars-prill 2007, kryeministri Tariceanu shpërndau qeverinë e krijuar në aleancë me partinë e Presidentit dhe krijoi një qeveri të re me aleancë më të ngushtë, ndërmjet Partisë Nacional Liberale (PNL) dhe Bashkimit Demokratik të Hungarezëve të Rumanisë (UDMR). Kur ministri i Jashtëm, Mihai-Razvan Ungureanu, dha dorëheqjen, Basescu refuzoi të pranojë propozimin e Kryeministrit Tariceanu për Adrian Cioroianu si ministër i ri i Punëve të Jashtme të vendit, duke pretenduar se Cioroianu nuk kishte përvojë të mjaftueshme. Më 5 prill 2007, Gjykata Kushtetuese vendosi që “Presidenti rumun nuk ka të drejtën e vetos, por, nëse vëren se personi i propozuar nuk korrespondon me kushtet ligjore, që kërkohen për të qenë anëtar i qeverisë, ai mund t’i kërkojë Kryeministrit, që të heqë dorë nga propozimi i tij”.

Në të njëjtën ditë (dy muaj pasi Ungureanu njoftoi dorëheqjen e tij), Basescu pranoi Cioroianu dhe ky i fundit mori detyrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Mbas kësaj, u bë edhe reformimi i Qeverisë Tariceanu II, një qeveri në minorancë, ndërmjet Partisë Nacional Liberale (PNL) dhe Unionit Demokratik të Hungarezëve të Rumanisë (UDMR), me anë të së cilës u zgjidh dhe kriza e emërimit të ministrit të Punëve të Jashtme në Rumani. Ristrukturimi i qeverisë u bë funksional nga Parlamenti më 3 prill 2007, me 302 vota pro dhe 27 kundra.

Qeveria minoritare e PNL dhe UDMR përbënte vetëm 22.38% të strukturës parlamentare, por një rol vendimtar në votëbesimin e saj në Parlament luajti partia kryesore e opozitës, Partia Social-Demokrate (PSD), e cila deklaroi përkrahjen parlamentare në votëbesimin e qeverise, duke mbetur në të njëjtën kohë në opozitë të fortë kundër saj. Kriza vazhdoi me votimin në Parlament, ku me shumicë votash u arrit pezullimi i Presidentit Basescu nga detyra dhe vendi kaloi në organizimin e referendumit popullor, për përkrahjen ose jo të këtij vendimi, sipas Kushtetutës. Në këtë mënyrë, kriza u pasua me rastin unik në historinë e politikës së vendit: pezullimin e Presidentit Basescu, zëvendësimin e tij me kryetarin e Senatit, Nicolae Vacaroiu, si President i përkohshëm. Idetë e partive opozitare për të propozuar pezullimin e Basescut si President, për sjellje jokushtetuese, filluan të hidhen qysh në fillim të muajit prill të vitit 2007.

Një nga çështjet kryesore në këtë konfrontim ishte aktiviteti i ministres së Drejtësisë, Monika Macovei, e cila mbështeti përpjekjet e prokurorëve për të ndjekur rastet e korrupsionit, veçanërisht ato që përfshinin individë nga politika. Po ashtu, në propozimin për pezullimin e Basescu përfshiheshin çështje që kishin të bënin me shkelje dhe “zëvendësim të autoritetit” të qeverisë, të sistemit gjyqësor dhe të Parlamentit; kryerjen e akteve “partiake politike” me referencë të drejtpërdrejtë ndaj Partisë Demokratike, shpërdorim të pushtetit dhe të vepruarit më shumë si “gjyqtar i autoriteteve të tjera publike” sesa, si “bashkëpunëtor”, duke “braktisur rolin e tij të ndërmjetësit të paanshëm, të kërkuar nga Kushtetuta rumune”; manipulimin dhe “nxitjen e opinionit publik ndaj institucioneve të tjera shtetërore”, si Parlamenti dhe qeveria.5555

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë nuk gjeti prova të qarta për shkeljen e Kushtetutës, megjithatë, vendimi i Gjykatës ishte vetëm konsultativ dhe të dy dhomat e Parlamentit rumun votuan në favor të fajësisë së Basescu-t më 19 prill 2007, me 322 vota për propozimin e fajësimit, 108 kundër dhe 8 abstenime (numri minimal i votave të nevojshme ishte 233). Basescu e kundërshtoi vendimin, por Gjykata Kushtetuese refuzoi ankesën e tij, si të papranueshme dhe mbështeti votimin. Më 19 prill 2007, si rezultat i votimit nga Parlamenti, Basescu u pezullua nga funksioni i tij si President dhe u vendos që të mbahej një referendum kombëtar, më 19 maj 2007, për të vendosur me votim popullor, nëse do të afirmohej shkarkimi i tij. Sipas nenit 5 (2) të ligjit për referendumin, nevojitej një shumicë absolute e të gjithë rumunëve me të drejtën e votës, për një rezultat pozitiv për shkarkimin e tij, që do të thotë se pothuajse 9 milion njerëz, do të duhej të votonin kundër Basescu-t.

Dy ditë më parë, më 17 prill, Basescu deklaroi se nëse Parlamenti do të votonte për pezullimin e tij, ai do të jepte dorëheqjen “pesë minuta” pas votimit, duke shmangur një referendum, si dhe nxitjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale. Megjithatë, më 20 prill ai vendosi të mos japë dorëheqjen, duke pretenduar se donte ta kufizonte periudhën e paqëndrueshmërisë politike. Mbas vendimit për pezullim të përkohshëm nga Presidenca, ai deklaroi: “Duket se ish-Presidenti Ion Iliesku u kthye me mjete më moderne për heqjen e kundërshtarëve politikë, këtë herë pa i thirrur minatorët që ‘të mbrojnë vendin’, por duke përdorur 322 deputetë të Parlamentit për fajësinë time”.

Më 25 prill, Gjykata Kushtetuese miratoi ndryshimet e sjella nga Parlamenti në ligjin e referendumit. Neni i ri 10 (lidhur me procesin e faljes së Presidentit) konsideron se procesi i fajësimit “do të miratohet me shumicën e votave për pjesëmarrësit në referendum dhe neni 5 (2) nuk zbatohet për këtë lloj referendumi”. Prandaj, referendumi i 19 majit mbeti i vlefshëm, pavarësisht pjesëmarrjes së më pak se 40% të rumunëve të pranueshëm. Partia Demokratike dhe PLD organizuan disa tubime publike dhe protesta për të mbështetur Basescu-n në referendum, kundër pezullimit të tij, në Bukuresht, Iasi, etj., si edhe jashtë vendit. Basescu dhe mbështetësit e tij në Partinë Demokratike sugjeruan se kundërshtarët e tij politikë do të përpiqeshin të modifikonin ligjin zgjedhor, me qëllim që të ndalonin një president të pezulluar më pare, që të kandidonte përsëri në zgjedhje.

Gjithashtu, ata mohuan akuzat, duke deklaruar se veprimet dhe deklaratat e tij ishin mënyra për të luftuar kundër korrupsionit në sistemet politike dhe gjyqësore dhe kundër “qarqeve të interesave të biznesit” me qëllime të paligjshme. Mbështetësit e Basescu-t e karakterizuan koalicionin anti-Basescu që u formua, si “aleanca e zezë”, pasi ajo përmbante një spektër të gjerë të partive dhe interesave politike: Socialdemokratët që favorizonin përfshirjen e fortë të shtetit në ekonomi; Liberalë Nacionalët dhe Konservatorët, që favorizonin interesat e biznesit; si dhe deputetët e pakicave hungareze dhe ultranacionalistët antihungarezë. Mbas mbajtjes së referendumit më 19 maj, u konfirmua mbështetja për Presidentin Basescu me 75% të elektoratit të paraqitur në qendrat e votimit.

Basescu e quajti këtë votë një mbështetje jo thjesht të tij, por të punës së nisur, ecjes në rrugën e reformave dhe luftës kundër korrupsionit. Mbas fitores, në fjalën e Presidentit para dy dhomave të bashkuara të Senatit dhe Parlamentit, u ripërcaktuan edhe një herë prioritetet e Rumanisë dhe njëkohësisht të zgjedhurve iu bë thirrje t’u përgjigjen sinjalit të zgjedhësve në referendum, për të gjetur gjuhën e mirëkuptimit, jo vetëm me Presidencën dhe institucionet e tjera, por në radhë të parë me elektoratin. Rezultati i parashikueshëm i referendumit, ku u rikonfirmua nga elektorati Presidenti Traian Basescu, u konsiderua si një “tërmet” për jetën politike në Rumani. Por rikthimi në post i Presidentit nuk i jepte atij më tepër atribute dhe nuk zgjidhi konfuzionin institucional, fakt që do sillte zgjatjen më tej të krizës politike në Rumani. Nga debatet e stërzgjatura midis Presidentit Basescu dhe Kryeministrit Tariceanu, pas këtij referendumi, dukej i humbur ky i fundit.

GJENDJA EKONOMIKE E RUMANISË

Në harkun kohor të viteve 2006-2010, Rumania kaloi një periudhë mjaft dinamike, me zhvillime intensive në fushën ekonomike. Me hyrjen në BE, asaj iu desh të ndërtojë një strategji të re, në përputhje me parametrat europianw, duke u ndeshur në të njëjtën kohë me konkurrencën e fortë në gjirin e BE-së. Si anëtarja më e re e BE, Rumanisë iu desh të përballej edhe me sfidat e krizë ekonomike e financiare që mbërthyen Europën më 2009. Në fushën ekonomike, periudha që vijoi anëtarësimin e Rumanisë në BE, u shfaq po aq problematike sa ajo e paraanëtarësimit. Minimizimi i diferencave të standardeve, krahasuar me vendet e tjera të BE-së dhe dëshira për të hyrë në normalitet me stresin e realizimit të objektivave, krijonin tensione, diskutime dhe replika, por edhe mosarritje dhe zhgënjime. Në korrik 2005, qeveria rumune mori vendimin për të bërë një vlerësim të monedhës vendase Lei në masën 1 me 10 mijë; raporti i shkëmbimit u bë 1 Euro baras me rreth 4 Lei (Ron). Disa vjet mbas anëtarësimit në BE-së, parashikohej që Rumania të futej në Eurozonë në vitin 2019.

Në prag të anëtarësimit dhe një vit më vonë, Rumania shënonte treguesit më të ulët të nivelit të jetesës ndër vendet e BE dhe njëkohësisht rritjen më të lartë ekonomike ndër ta. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2006, niveli i jetesës, i matur sipas PBB për frymë, duke marrë në konsideratë edhe fuqinë blerëse, përfaqësonte vetëm 36% të mesatares të 25 shteteve anëtare. Kështu, PBB për frymë ishte rreth 8.800 Euro në vitin 2006, krahasuar me mesataren europiane prej 24.500 eurosh, pra, më i ulëti krahasuar me të gjitha shtetet europiane. Ndërkohë, sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare të specializuara, Rumania klasifikohej ndër vendet e para të Europës Lindore dhe Qendrore (pas Polonisë), për volumin që zinin investimet e huaja. Në 6 muajt e parë të 2006, u investuan rreth 3 miliardë euro, me parashikimin që kjo shumë të dyfishohej deri në fund të vitit.

Mbas hyrjes në BE, pati një rritje të shpresës, megjithëse pritshmëria ishte më e madhe. Gjatë vitit 2007, Rumania kontribuoi në BE me një vlerë prej 1 miliard e 200 mijë Euro, kurse BE kishte planifikuar një shifër mbi 2 miliard Euro si kontribut për Rumaninë. Por për mungesë të aftësive absorbuese, nga kjo shumë vetëm 20% arriti të përdoret; në këtë mënyrë, Rumania mbetej një vend kontribuues, pasi procedurat burokratike ishin tepër të komplikuara nga të dyja palët. Në vitin 2007, GDP-ja ishte afërsisht 68.5 miliardë lei (RON), me një normë të lartë investimi dhe me një inflacion në masën 4.5%. Rroga mesatare nominale bruto ishte 1387 lei (rreth 350 Euro). Numri i të papunëve deri në fund të prillit 2007 ishte rreth 400 mijë. Ekonomia rumune u ndesh me një numër sfidash shtrënguese vitin e parë të anëtarësimit. Ndërsa kushtet e tregut u afroheshin atyre të BE-së, firmat lokale hasën një konkurrencë të fortë.

Ekonomia u prek edhe nga përmbytjet e mëdha, si dhe nga rritja e çmimit të energjisë. Ndonëse një prodhues i rëndësishëm i energjisë, Rumania kishte tregues krize dhe keqmenaxhimi, gjë që bëri të hapen disa dosje penale për persona me influencë dhe arrestimin e disa të tjerëve, vendës dhe të huaj, duke i akuzuar për spiunazh ekonomik dhe sabotim të ekonomisë. Futja në BE e gjeti Rumaninë të papërgatitur, sidomos në fushën e bujqësisë. Fermerët rumunë të vegjël hasën mjaft vështirësi në konkurrencën me standardet europiane Një avantazh pozitiv mbetej shkalla e privatizimit, që kishte arritur në 80 %. Largimi i një pjese të mirë të rinisë në emigracion krijoi disa modifikime strukturale të ekonomisë, duke bërë që zona të caktuara të ekonomisë të mbeteshin pa punonjës, sidomos në fushën e ndërtimit dhe në IT.

Një dukuri e rëndësishme ishte rritja e të ardhurave buxhetore, të cilat filluan të arrijnë deri në 35%, shenjë kjo, që zbatimi i taksës së sheshtë ishte një sukses, pavarësisht nga kritikat që u bënë për të. Por qeveria nuk arriti të krijonte kushte për t’i investuar këto shuma suplementare në ekonominë vendëse./Panorama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb