Ambasadori i Holandës në Shqipëri Reinout Vos ka qenë në Universitetin “Luarasi” për një bisedë me studentët ekselentë, pas shfaqjes së filmit “Një herë e një kohë në Venezuelë”.

Sipas tij, Venezuela është një vend tragjik me shumë pasuri por me qeverisje të keqe. Biseda natyrisht u zhvendos në aktualitetin shqiptar. I pyetur se si të luftojmë korrupsionin sistematik në Shqipëri, ambasadori u përgjigj:
“Në fakt nuk e dimë. Duhet të keni durim. Korrupsioni është kërcënim i madh. Duhet ta mbani qeverinë në llogaridhënie sa i përket luftës ndaj korrupsionit. Qeveria juaj po e bën në mënyrë pak të ashpër. Procesi i vettingut është spektakolar për tu parë. Është një hap kundër korrupsionit. Është proces i ashpër sepse keni humbur 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe do të vazhdojë për ca kohë, ndaj keni një problem. Por këtu fillohet, sepse është treguar se kjo është e papranueshme”.

Ndërsa vuri theksin tek depolitizimi i shoqërisë, në bisedë me studentët e “Luarasit”, Reinout Vos, foli për negociatat duke rikonfirmuar qëndrimin e Holandës ndaj Shqipërisë.

“Ne jemi striktë dhe të drejtë. Tani jemi të bindur se Shqipëria duhet të nisë negociatat zyrtare për tu bërë anëtar i BE-së. duhet të shtyjmë edhe pak kolegët bullgarë”, tha ambasadori Vos.

Lidhur me zgjedhjet e muajit prill, diplomati holandez pranoi në bisedën miqësore me studentët ekselentë të Luarasit se ka pasur blerje votash, por tha se opozita kishte mundësi reale dhe mori shumë vende në parlament.

“Analiza finale është se PD i kishte mundësitë për të fituar. Ata morën disa vende në parlament dhe kjo nuk është pak. Demokracia jetohet nga njerëzit”, u shpreh ai.
Zhvillimet në PD ambasadori nuk i komentoi gjatë, pasi siç tha nuk përfshihet në këtë debat.
“Edhe në Partinë Demokratike ne shohim që po mbahen dy kongrese. Mbase nuk është një zhvillim i mirë, por në të njëjtën kohë, është demokraci brenda një partie. Është mjaft interesante të shohësh si do përfundojë”, tha ambasadori holandez.

Biseda me studentët ekselentë “Luarasi” u mbajt në ambientet e universitetit, që prej kohësh është kthyer në një pol takimesh e bashkëbisedimesh me diplomatë dhe personalitete mbi çështje që shqetësojnë shoqërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb