Ambasadori i ri i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner, u kërkon forcave politike që t’i përgjigjen aspiratës së 97% të shqiptarëve që mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Steiner shprehet se Këshilli i BE-së vendosi hapjen e negociatave, ndërsa mbajtja e Konferencës së Parë të Amëtarësimit mbetet në dorën e Shqipërisë për të përmbushur kriteret që nisin me 15 pikat e vendosura tetorin e kaluar.

Ai shprehet se Austria që nga shkurti i këtij viti po mbështet “International Monitoring Operation”, projekt i cili mbështet procesin e Vetting-ut në drejtësi, e që po implementohet në aspektin teknik nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Urime dhe suksese zoti Steiner në detyrën e re të ambasadorit të Austrisë në Shqipëri. Cilat janë prioritetet tuaja gjatë këtij mandati?

Faleminderit shumë! Jam shumë i kënaqur që do të mund të përfaqësoj Austrinë në Shqipëri për vitet në vijim. Shqipëria përmendet në mënyrë të theksuar në programin e Qeverisë aktuale Federale Austriake që prej fillimit të këtij viti në lidhje me çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Austria e ka mbështetur fort Shqipërinë, deri sa Këshilli i BE-së mundi fatmirësisht të jepte dritën jeshile më 25 mars 2020. Gjatë karrierës sime jam marrë gjithmonë me çështje që kanë të bëjnë me BE-në, përshfirë këtu edhe zgjerimin e BE-së dhe jam i kënaqur që do të mund të shoqëroj dhe të mbështes Shqipërinë në një pjesë të rrugës së saj gjatë procesit të anëtarësimit në BE. Mbështetja e fortë e Austrisë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së është gjithashtu në përputhje me marrëdhëniet tradicionalisht shumë të ngushta dhe të shkëlqyera mes dy vendeve tona, të cilat do të përpiqem t´i zgjeroj edhe më shumë. Më 18 shkurt 2022 ne festojmë 100- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg, dhe ministrja për BE-në, Karoline Edtstadler, i dorëzuan ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në Aeroportin e Tiranës, një kontigjent me ndihma për të lehtësuar pasojat e pandemisë së koronavirusit. A presim në të ardhmen ndihma në pajisje mjekësore nga Austria për të përballuar ndoshta një valë të dytë të koronavirusit në vjeshtë?

Udhëtimin e parë jashtë vendit pas përmirësimit të situatës së krijuar nga epidemia e koronavirus, ministri Federal, Alexander Schallenberg, dhe ministrja Federale, Karoline Edtstadler, e zhvilluan në Tiranë. Ata dorëzuan këtu pajisje mjekësore, si dhe pako ushqimore dhe produkete higjienike, të cilat do të shpërndahen nga Kryqi i Kuq në Shqipëri. Veç kësaj, Austria ishte vendi i parë, i cili iu përgjigj kërkesës së Shqipërisë, duke dërguar në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së një sasi të madhe dorezash mbrojtëse dhe mjetesh dezinfektuese. Për më tepër ne mbështesim gjithashtu Caritas-in në Shqipëri me ndihma humanitare. Pas tërmetit të fortë në Shqipëri, Austria ishte një ndër vendet e para, i cili që në dhjetor të 2019-ës lidhi një marrëveshje me palën shqiptare për të mbështetur Shqipërinë.

Ju e njihni tashmë situatën politike në Shqipëri. Cili është vlerësimi juaj për krizën e vazhdueshme institucionale dhe sa e pengon kjo procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian?

Sipas një anketimi, 97% e popullsisë shqiptare mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Për mendimin tim, kjo do të thotë që të gjitha forcat politike të vendit, për sa i përket kësaj çështjeje me interes kombëtar, të kenë të njëjtin qëllim (të jenë të gjitha në të njëjtën anë.) Pasi Këshilli i BE-së më 25 mars çeli dritën jeshile, tani është në dorën e Shqipërisë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.

Nga njëra anë, këtu bëhet fjalë për 15 temat e lidhura me kriteret politike, nga të cilat, përveç Reformës Zgjedhore, për mendimin tim, liria e medias dhe Reforma në Drejtësi janë të një rëndësie të veçantë. Ne shpresojmë shumë që këto kushte do të përmbushen sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të mbahet Konferenca e parë e Anëtarësimit. Por nga ana tjetër, në pikëpamjen time, nuk ka asgjë të keqe nëse që tani, pra, që tani para fillimit të negociatave, të fillohet të përmbushen aq sa mundet edhe kriteret ekonomike, si dhe të zhvillohet aftësia për të implementuar në mënyrë efektive Legjislacionin e Bashkimit Evropian, të ashtuquajturat ‘Kriteret e Kopenhagenit’ sipas marrëveshjes së BE-së.

Termi “negociata”, sa i përket procesit të anëtarësimit në BE, në pikëpamjen time të ngatërron disi, duke qenë se gjatë negociatave për anëtarësim nuk ka asgjë për të negociuar në lidhje me temën (në vetvete), por me mënyrën dhe me pikën kohore të përvetësimit dhe implementimit të Legjislacionit të Bashkimit Europian. Në fakt, procesi i “Acquis-Screening”, pra, përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, ka filluar që prej disa kohësh. Prej vitesh, projekte të BE-së po mbështesin përgatitjen e një anëtarësimi të ardhshëm të Shqipërisë. Këtu po luajnë një rol të rëndësishëm edhe institucionet austriake, si për shembull, që nga shkurti i këtij viti International Monitoring Operation, projekt i cili mbështet procesin e vetingut në drejtësi, po implementohet në aspektin teknik nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Shqipëria ka pritshmëri të larta në sektorin e turizmit. Sa e preferojnë qytetarët austriakë natyrën shqiptare, bregdetin, por dhe malet dhe çfarë vështirësish ka që numri i tyre të jetë edhe më i madh?

Austria dhe Shqipëria janë vende, të cilat në aspektin ekonomik përfitojnë shumë nga turizmi. Situata e shkaktuar nga Covid-19 na ka vënë përpara një sfide të madha sa i përket kësaj fushe dhe ne po shkëmbejmë përvojat tona në lidhje me këtë. Firmat austriake janë shumë të interesuara të marrin pjesë në zhvillimin turistik të këtij vendi të mrekullueshëm dhe relativisht ende të pazbuluar në aspektin turistik. Në vjeshtën e vitit të shkuar, një mision ekonomik i përbërë nga firma austriake nga sektori i turizmit vizitoi Shqipërinë. Agjencia Austriake për Zhvillim mbështet prej kohësh arsimimin profesional në shkollat e turizmit në Shqipëri. Gjithashtu, shpresoj shumë që linjat ajrore mes Vjenës dhe Tiranës t’u rikthehen shifrave të mëparshme. Para situatës së shkaktuar nga Covid-19 kishim deri në 17 fluturime direkte në javë mes dy kryeqyteteve tona.

Si e sheh sipërmarrja austriake klimën e të bërit biznes në Shqipëri? Keni në projektin tuaj nxitje të rritjes së investimeve austriake në Shqipëri dhe në cilët sektorë?

Firmat austriake janë shumë të interesuara për Europën Juglindore dhe janë gjithashtu shumë prezente aty në Shqipëri, sidomos në sektorin e sigurimeve, në sektorin bankar dhe në atë të energjisë hidrike. Vendet e Ballkanit Perëndimor, të ndara nga njëri-tjetri, shikohen si tregje të vegjël. Prandaj është e rëndësishme që të nxitet integrimi ekonomik rajonal dhe të garantohet sundimi i ligjit në një masë të caktuar, në mënyrë që ndërmarrjet (firmat) të mund të implementojnë “ekonominë shkallë” përmes madhësisë së tregut dhe nga kjo të përfitojë secili nga këto vende. Çdo vendim për investim merret nga bordet menaxhuese të ndërmarrjeve, të cilat janë përgjegjëse ndaj pronarëve të tyre dhe jo ndaj ambasadorëve. Por unë si ambasador mbështes natyrisht në mënyrën më të mirë të mundshme angazhimin e firmave austriake në Shqipëri. Më 10 qershor, në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Krahasime Ekonomike Ndërkombëtare mbajtëm një webinar me temë: “Albania and the western Balkans after the coronavirus: opportunities in the new global economy?”, për të cilin patëm shumë reagime pozitive./ Panorama.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb