Ambasadori i Azerbajxhanit për Shqiperinë Anar Hyseynov deklaron se Armenia ka cënuar integritetin territorial të Azerbajxhanit duke sulmuar ushtarët dhe civilët azerbajxhanas për rajonin e Nagorno Karabakh që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e territorit të vendit të tij. Ambasadori Hyseynov thekson gjatë një interviste për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24 se Baku është në favor të një zgjidhje paqësore të konliktit dhe aspak e interesuar për shkelje armëpushimi.

Ambasador, ju sapo i keni paraqitur letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë. A jeni të kënaqur me nivelin e marrëdhënieve midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, si politikisht dhe ekonomikisht?

Në fakt duhet të them se marrëdhëniet tona dypalëshe janë vendosur në vitin 1993 dhe që nga ajo kohë ne i kemi fokusuar raportet tona kryesisht përmes organizatave ndërkombëtare dhe jo shumë përmes kontakteve direkte, por për gjatë 10 viteve të fundit kemi vendosur bazën tonë ligjore duke i intensifikuar marrëdhëniet tona dhe siç publiku shqiptar e di kemi realizuar tubacionin e shpërndarjes së gazit Tap dhe shpresoj që në javën e ardhshme me në fund do të vendoset në punë. Sa i përket asaj nëse jemi të kënaqur me raportet mes dy vendeve tona unë mendoj se ka hapësirë të mjaftueshme për përparim. Ne e vlerësojmë shumë që Shqipëria mbështet integritetin tonë territorial dhe ky është një mesazh shumë i fortë për vendin tim dhe duke u bazuar në qëndrimin e Shqipërisë ne mund të zhvillojmë marrëdhënieve politike, por edhe ato ekonomike. Mendoj se Azerbajxhani është i interesuar jo vetëm në zhvillimin e sektorit të energjisë, por mund të ekzaminojmë edhe fusha të tjera siç është turizmi, investimet e përbashkëta, bujqësia dhe arsimi. Pra janë dhjetëra fusha, por na mbetet vetëm që t’i intensifikojmë këto raporte mes dy vendeve tona.

Ambasador, kjo intervistë zhvillohet ndërsa vendi juaj Azerbajxhani është i përfshirë në një konflikt të armatosur me Armeninë për rajonin e Nagorno Karabakut. Çfarë i nxiti këto tensione duke e kthyer atë në një konflikt të armatosur?

Pa dashur që të zgjatëm mbi historinë e konfliktit, dua të them se ai nisi nga fundi i viteve ’80 dhe në vitin 1993 Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi katër rezoluta ku kërkohej tërheqja e menjëhershme, e plotë dhe pa asnjë kusht i forcave pushtuese nga territori jonë, por që nga ajo kohë ne jemi angazhuar në diskutime intensive paqësore të drejtuara nga grupi i Minskut i OSBE-së nën drejtimin e Rusisë, Francës dhe SHBA-së. Edhe pse ne nuk ishim të kënaqur me progresin e arritur gjatë 28 viteve të fundit, suksesi ka qenë me hapa të ngadaltë, por gjithsesi ka patur progres dhe ne ishim të kënaqur me zgjidhjen paqësore të konfliktit. Por ajo që ndodhi gjatë dy viteve të fundit. Qeveria e Armenisë ka ndryshuar dhe të ashtuquajtuarit demokratë erdhën në pushtet në këtë vend. Ne kishim menduar se me ata do të kishim edhe më shumë sukses sepse dy ish drejtuesit e mëparshëm të Armenisë e kishin origjinën nga rajoni i Nagorno Karabakhut dhe diskutimet në atë kohë kishin qënë të vështira.

Ku ishin te fokusuara diskutimet mes jush?

Diskutimet ishin të fokusuara te barimet themelore. Ne kishim nënvizuar me pjesëmarrjen e ndërmjetësuesve parimet themelore të zgjidhjes së konfliktit, por me ardhjen e kryeministrit të ri të Armenisë, edhe pse ai ofroi perspektiva të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit, pas pothuajse pesë gjashtë muajsh ai udhëtoi drejt Nagorno Karabakhut dhe atje ai deklaroi se ky rajon është armen dhe pikë. Kjo ishte një goditje e madhe për procesin e negociatave. Edhe pse menduam se ai ishte pak emocional, duke qënë i ri në politikë menduam se në një farë mënyre ishte emocional, por ai nuk ndaloi aty dhe provokimet ndoqën njëra tjetrën. Nuk dua t’i listoj ato sepse është një listë e gjatë provokimesh dhe ideja pas këtyre provokimeve është që të mbahet një “Status Quo”. Kryeministri i ri armen deklaroi në disa raste se nuk do të japim asnjë centimetër të territoreve tona dhe kjo e bëri të gjithë procesin e negociatave tona të pakuptimta. Ndonëse ne kishim pritshmëri se qëndrimi i tyre do të ndryshojë, por ajo që ata bënë korrikun e kaluar ishte se ata sulmuan territoret tona në një drejtim të ri që janë shumë larg territoreve të pretenduara, është kufiri shtetëror mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në pjesën perëndimore të Azerbajxhanit ku ne kemi vetëm autoritetet kufitare, jo shumë forca ushtarake. Nisi më 12 korrik. Ata sulmuan ushtarët tanë, civilët, madje një 76 vjeëar u vra nga këto sulme. Por ne i zmbrapsëm ata shumë lehtë duke i largua nga kufiri ynë shtetëror. Ata kërkuan armëpushim dhe ne ndaluam sepse ne nuk dëshirojmë të kemi asnjë shenjestër ushtarake dhe nuk kemi asnjë pretendim territorial kundrejt Armenisë. Gjithçka që duam është që të na kthehen territoret tona që njihen ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit. Më pas pala Armene dërgoi një grupi sabotazhi në muajin gusht, ne e kuptuam këtë. Plani ishte që ata të kryenin vepra terroriste në territorin e Azerbajxhanit në mes civilëve, ushtarëve dhe më pas më 27 shtator pala armene na sulmoi sërish, ne u kundërpergjigjem dhe pjesa tjetër tashmë dihet.

Zoti Ambasador, cili ka qenë roli i Shqipërisë në zgjidhjen e këtij konflikti, edhe si presidente e rradhës së OSBE-së? A është bërë mjaftueshëm nga Tirana në këtë drejtim?

Sa i përket presidencës Shqiptare të OSBE-se, unë vetë kam qenë i akredituar kohë më parë në OSBE në Vjenë, kjo është një organizatë e bazuar mbi konsensus dhe roli i presidencës nuk është aq i fortë sa mund të mendohet, por ne jemi mirënjohës ndaj Shqipërisë sepse është përpjekur që të çojë përpara një zgjidhje paqësore të konfliktit të cilin e mbështesim edhe ne dhe ata kanë organizuar një sërë takimesh për të diskutuar situatën aktuale dhe ajo që ne vlerësojmë me të vërtetë dhe kjo u përmend edhe gjatë takimit tim me presidentin tuaj sepse ai e njeh integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe me duhet të them se është një mesazh i madh, i rëndësishëm dhe i fortë dërguar drejt kryeqytetit tim dhe ne e vlerësojmë shumë atë. Unë shpresoj se pas presidencës së OSBE në fund të këtij viti shpresoj se me Shqipërine do të kemi horizonte të reja bashkëpunimi në aspektin politik.

Aktualisht ekziston një marrëveshje armëpushimi, por Jerevani dhe Baku akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e kësij armëpushimi? A është Azerbajxhani që e ka shkelur atë?

Kjo është një pyetje që i adresohet gjithmonë palës së Azerbajxhanit dhe jo shumë palës armene.

Shpresoj të kemi një intervistë edhe me palën armene.

 Më duhet të them se deri më tani ne kemi pasur sukses në arritjen e tre armëpushimeve, njëra ishte në Moskë, njëra më date 10 tetor dhe e fundit ishte sot që flasim. Por gjatë këtyre tre herëve, armëpushimi i parë zgjati më pak se 24 orë dhe këtë herë serish jemi bërë dëshmitarë të sulmeve armene drejt ushtrisë dhe civilëve tanë. Pra ata e kanë shkelur serish armëpushimin dhe më duhet ta them se ne jemi në favor të një zgjidhje paqësore të konliktit dhe nuk jemi të interesuar per shkelje armëpushimi. Janë ata që shkelin armëpushimin. Unë vetëm shpresoj që të gjendet një zgjidhje paqësore për këtë konflikt mes dy vendeve tona.

Si e shikon Baku zgjidhjen e këtij konflikti dhe çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare në këtë drejtim?

Siç e përmenda, ne jemi të gatshëm për t’i dhënë fund luftimeve që sot nëse pala Armene do të pranojë integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe nëse shprehin gatishmërinë që në mënyrë graduale të heqin dorë nga pushtimi i territoreve tona, ne jemi të gatshëm t’i ndalojmë luftimet që sot. Por problemi është se pala Armene as nuk pranon këto parakushte të Azerbajxhanit, përkundrazi kryeministri i Armenisë një ditë më parë deklaroi se nuk ishte i gatshëm për zgjidhje paqësore të konfliktit, për një zgjidhje diplomatike të kësaj situate. Përpos kësaj ai vazhdon ta vëre theksin të koncepti i vetëvendosjes së popullatës armene në këtë rajon, por parimi i vetëvendosjes nuk mund të triumfojë mbi parimin e integritetit territorial dhe një tjetër pikëpamje është se ky komb është vetë identifikuar në këtë zonë. Ne jemi të gatshëm tu japim atyre nivelin më të lartë të autonomisë brenda territorit të Azerbajxhanit.

Popullata e zonës është armene, apo jo?

75 përqind e popullatës ka qenë armene, por shumë njerëz në botë duke përfshirë edhe Shqipërinë nuk e dine se Nagorno Karanakh është një enklavë brenda Azerbajxhanit. Kjo zonë ka qenë e banuar 95 përqind nga popullata azerbajxhanase, por janë pastruar etnikisht. Janë rreth 800 mijë azerbajxhanas që u shndërruan në një popullsi të zhvendosur brenda vendit. Po, e pranojmë që popullsia e Nagorno Karabagh ishte 75 përqind armene, por nëse thellohesh në historine e kësaj zone, madje edhe sipas të dhënave të demokrafisë lokale, ka pasur një politike zhvendosje të carit të Rusisë. Kjo nuk është një tokë historike e armenëve.

Ambasador, çfarë ndikimi ka ky konflikt në funksionimin normal të Gazsjellësit Trans Adriatik?

Gjatë agresionit që përmenda më parë në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në muajin korrik, ideja kryesore pas këtij sulmi ishte në fakt tubacioni jonë i naftës dhe gazit. Eshtë vetëm 15 kilometra nga tubacionet duke përfshirë korridorin e gazit ku është pjesë edhe ai Trans Adriatik. Por siç e përmenda ne i dëbuam ata duke e shmamgur këtë sulm. Edhe sot lidershipi politik i Armenisë përpiqet të na frikësojnë me sulme mbi tubacionet tona. Pra ka patur përpjekje të tilla. Ideja është që të destabilizojnë situatën duke dashur që ta shndërrojnë konfliktin lokal në një konflikt rajonal. Ata duan të tërheqin vëmendjen e superfuqive të huaja, por për ta bërë këtë ata sulmojnë civilët tanë, sulmojnë qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit dhe shumë qytete të tjera të vendit tonë që janë shumë larg fushës së betejës. Ata e bëjnë këtë në mënyrë që të na provokojnë për të hyrë edhe ne në luftime. Këtë e bëjnë nga Armenia dhe ata duan që të përgjigjemi me zjarr që të tërhiqet vëmendja e Rusisë sepse ata kanë një traktat kolektiv, si një Nato në miniature ku bën pjesë Rusia, Armenia, Bjellorusia. Pra është një aleancë ushtarake me një nen si i Natos për mbrojtjen. Pra ata do të donin që të tërhiqnin edhe Rusinë sepse ajo ka një bazë ushtarake atje. Ne nuk e konsiderojmë një tubacion vetëm të Azerbajxhanit, por një tubacion rajonal që kontribuon në sigurine e Europës. Unë shpresoj se ata do të tregohen të matur dhe të mos ndërmarrin veprime të tilla.

Zoti Ambasador, siç e përmendët. a sheh Azerbajxhani mundësinë e investimit në fusha të tjera përveç gazit në Shqipëri? Cilat konsiderohen me interes për biznesmenët nga vendi juaj? 

Më duhet të them se në të gjithë rajonin e Ballkanit duke përfshirë Shqipërinë, ne e konsiderojmë atë si një lagje fqinje që përfshin zonat e kaukazit, ballkanin dhe mesdheun për shkak se zona më e afërt gjeografikisht me ne dhe Shqipëria është mes atyre vendeve ku ne do të ishim shumë të kënaqur për të investuar. Ne kemi investuar shumë në vendet e tjera, por gjithmonë e kam vënë theksin te Shqipëria me kërkesën për të investuar këtu. Gjithmonë kam parashtruar pyetjet se përse nuk e zgjerojmë klimën e investimeve në Shqipëri? Une shpresoj që gjithçka do të jetë premtuese dhe si Ambasador kam biseduar me shumë nga zyrtaret tuaj dhe biznemenë të ndryshëm për të analizuar ato fusha ku investimet e Azerbajxhanit të nisin dhe autoritetet tuaja po bëjnë shumë për të përmirësuar klimën e investimeve këtu, për të ndërmarrë reformat e duhura për ta bërë vendin tuaj më tërheqës. Di gjithashtu se janë shumë investitorë të fuqishëm shqiptarë dhe do të përpiqem të tërheq vëmendjen e tyre për të investuar në Azerbajxhan sepse ne kemi një klimë të mirë investimesh dhe mund të shkëmbejmë eksperiencën në këtë fushë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb