Nga: RUDINA HOXHA*
TIRANE – Ambasadori francez në Shqipëri, Bernard Fitoussi, shprehu dje admirimin e tij për guximin dhe këmbënguljen e ekipit shqiptar të futbollit, që ia arriti asaj që dëshironte. I mahnitur nga festimet e shqiptarëve ditën e hënë për fitoren e skuadrës së tyre, Fitoussi tha në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” se, “ajo që pashë dje është krenaria e Shqipërisë, e cila është kaq e natyrshme, kaq e gëzueshme dhe kaq e këndshme”.
Duke mos përjashtuar mundësinë se një kompani franceze mund të ndërtojë stadiumin e madh në Tiranë, ambasadori nënvizon se ky kualifikim i Shqipërisë është një rast i mirë për Shqipërinë për t’u njohur më tepër.
Z. ambasador, ku ju ra rasti ta ndiqnit ndeshjen deçizive Shqipëri-Armeni? Me miq apo me familjen?
E pashë në shtëpi. Duhet të theksoj se 3-4 ditë më parë, kisha parë ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe më duhet të them se isha pak i shqetësuar.
Dhe cilat ishin ndjesitë e para tek patë golat e njëpasnjëshme të ekipit shqiptar?
Së pari, një gëzim shumë i madh, sepse nuk ishte e sigurt asgjë. Edhe barazimi nuk ishte i sigurt. U desh pjesa e dytë e lojës që të merrnim frymë pak më lirisht. Përshtypja ime e dytë ishte admirimi, sepse kjo fitore, ky kualifikim i Shqipërisë erdhi pas një periudhe shumë të gjatë sakrificash dhe pune të bërë nga i gjithë ekipi. Unë kam admiruar vërtet kurajën dhe këmbënguljen e ekipit shqiptar. Në këtë fazë, në këtë periudhë, ekipi shqiptar dha prova të një kurajoje dhe të një këmbënguljeje të jashtëzakonshme në arritjen e asaj që dëshironte.
Si u prit kjo fitore e ekipit shqiptar në Francë? Çfarë komentuan mediat?
Po. Pat shumë jehonë në Francë sepse menjëherë për shembull, pas ndeshjes së Shqipërisë me Serbinë, miqtë e mi në Francë, sepse futbolli ndiqet shumë në Francë po aq sa edhe në Shqipëri, më morën në telefon dhe më thanë se Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë të kualifikohet pas kësaj ndeshjeje. Menjëherë pas ndeshjes Shqipëri-Armeni, isha unë që i mora në telefon ata dhe u thashë: “Tani do të jetë e vështirë për ekipet e tjera”. Pyetja e dytë që kam marrë nga miqtë e mi është nëse shumë shqiptarët do të vijnë në Paris për të parë ndeshjet e ekipit të tyre. Ju përgjigja se do të ketë shumë shqiptarë.
A patët rast të takoheshit me lojtarët e ekipit shqiptar, pikërisht ata që kurorëzuan këtë fitore për Shqipërinë?
Jo, ditën e parë i lashë shqiptarët të festojnë mes tyre për këtë sukses, për këtë arritje. Por sot i shkrova një mesazh telefonik kapitenit të ekipit shqiptar dhe e ftova në rezidencë të pinim një gotë për t’i uruar mirëseardhjen në Francë. Ajo që pashë dje është krenaria e Shqipërisë, e cila është kaq e natyrshme, kaq e gëzueshme dhe kaq e këndshme. Dua të them se kjo nuk është fitore vetëm e futbollit, por e të gjithë Shqipërisë. Shpresoj se gjatë Kampionatit Europian, Shqipëria të ketë rastin të njihet dhe prandaj është një fitore për Shqipërinë në përgjithësi. Gjithashtu, shpresoj që Franca, e cila ka humbur ndeshjen me Shqipërinë, të ketë rastin në Francë, të marrë shpagimin e saj.
Z. ambasador, a jeni një fans i futbollit?
Vetëm i futbollit të cilësisë së lartë. Dhe unë shpresoj shumë që ekipi shqiptar, me pjesëmarrjen e tij në Francë, të sjellë atje futbollin që ai bën, që është futbolli i guximit, i futbollit të angazhuar dhe i futbollit me trimëri.
A kemi një projekt jo vetëm në fushën e sportit që po diskuton aktualisht Shqipëria dhe Franca?
Unë mund të them se tani jemi në një moment kthese të rëndësishme në marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Francës. Ne duam shumë të jemi të pranishëm në fushën e turizmit dhe infrastrukturës. Dhe meqenëse kryeministri Rama foli për ndërtimin e një stadiumi të shumë të madh në Tiranë, pse ky stadium të mos ndërtohet, për shembull nga një kompani franceze?!
E shikoni këtë mundësi?
Do ta shohim.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb