TIRANE- Ambasadori i OSBE në vendin tonë Bernd Borchardt, thotë se politika dhe institucionet shqitpare duhet të fokusohen më shumë në luftën ndaj korrupsionit. Ai theksoi se korrupsioni është kërcënim për qytetarët e vendit. Këto deklarata, ambasadori Borchardt i ka bërë në konferenën e organizuar nga prezenca e OSBE-së në vendin tonë, për të shënuar mbylljen e projektit të saj trevjeçar “Për mbështetjen e masave antikorrupsion në Shqipëri”.

Në fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së tha se ndërkombëtarët krijojnë instrumente, duke theksuar se shqiptarët e kanë për detyrë t’i përdorin ato.

“Ne punojmë me ju për të përgatitur instrumentet, instrumente të cilët nuk mund t’i aplikojmë, t’i përdorim, pavarësisht se sa besim kemi te rezultatet. E keni ju për detyrë që t’i miratoni dhe t’i përdorni këto instrumente nëse doni të arrini ndryshime. Trajnimi i nëpunësve kundër korrupsionit do të jetë i dobishëm vetëm nëse ata janë përgjegjës dhe japin llogari para mbikëqyrësve të tyre. Mesazhi im për të gjithë është të përdoren instrumentet e këtij projekti, për të sjellë ndryshim në drejtim të korrupsionit. Shqipëria ka marrë disa hapa të rëndësishëm para kundër korrupsionit, por duhet bërë edhe më tepër. Një tjetër problem që lidhet me zgjedhjet është lidhur me financat e partive politike, në mënyrë që të kenë një instrument auditimi të përgjegjshëm. Reforma në Drejtësi është tepër e rëndësishme, por jo gjithçka. Korrupsioni është kërcënim për qytetarët, Shqipëria duhet të bëjë më tepër”, u shpreh ambasadori Bernd Borchardt.

Projekti u zbatua në periudhën 2015-2017, me mbështetjen financiare të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe kontributin e Shkollës Italiane të Administratës Publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb