ELBASAN
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco ka qenë sot në Elbasan ku ka zhvilluar disa takime të rëndësishme pune me Drejtorin e Policisë së Qarkut dhe Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan. Më herët ai u takua me Kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja.
Në përfundim të këtij takimi, Ambasadori i OSBE-së Vincenzo Del Monaco tha se bashkë me kryetarin e bashkisë Gledian Llatja diskutuam gjerë e gjatë për këshillin e sigurisë.
Këshilli Vendor i sigurisë, është një organ këshillues për çështjet e sigurisë në bashkëpunim me policinë dhe institucione të tjera. Kjo është eksperienca e parë në Elbasan, por edhe në mbarë vendin dhe synon që të ndikojë për përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit në komunitet.
Këshilli Vendor për Siguri Publike synon rritjen e ndërgjegjësimit të banorëve lidhur me natyrën e krimeve, parregullësitë dhe djelljet e dhunshme.
“Ky organ i rëndësishëm jep kontributin për jetën sociale të qytetit duke përfshirë të rinjtë. Gjithashtu diskutuam edhe për rolin e grave, unë pata mbresa të mira kur mësova se numri i grave të punësuara në bashkinë Elbasan është rritur”, tha Del Monaco.
Ambasadori i OSBE-së foli edhe për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
“Besoj se të gjithë e lexuam raportin e OSBE, dhe kur flasim për proces-krim- ankesa, nuk jam unë personi të gjykoj. Kam besim tek drejtësia”, tha ai.
Pyetjes sa e motivuar dhe e vendosur ishte Policia e Shtetit për të zbatuar vetëm ligjin, si dhe për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar, krimin në përgjithësi dhe çdo krim elektoral, duke garantuar një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë ambasadori iu përgjigj duke theksuar se OSBE ka trajnuar më së miri efektivët e Policisë së Shtetit. “Pas vrasjes në Elbasan, ne bëmë një deklaratë me besimin te drejtësia sepse kështu funksionon demokracia. Ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë.”, tha ambasadori i OSBE.