Nga: RUDINA HOXHA*TIRANE-Në prag të 9 majit, datë kur festohet 70-vjetori i Fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste, dhe kur shumë nga udhëheqësit kryesorë botërorë e kanë refuzuar ftesën për të marrë pjesë në festimet përkatëse në Moskë, ambasadori i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Alexander Karpushin, bën thirrje për mospolitizim të kësaj feste. “Do të respektojmë çdo lloj vendimi, por nuk mund të lejohet politizimi i kësaj çështjeje. Se shumë udhëheqës deklarojnë hapur se refuzojnë të shkojnë në Moskë pikërisht për motive politike”, thotë Karpushin. Gjithashtu, ai komenton edhe deklaratën më të fundit, tepër të diskutueshme të Z. Rama, duke thënë se “jam i sigurt se zoti Rama u shpreh jo tamam ashtu siç donte, aq më tepër se zyrtarët në Tiranë, duke përfshirë zëvendësministren e Jashtme, znj. Barbullushi, dhe vetë ministrin Bushati, pohuan se fjalët e kreut të qeverisë ishin keqinterpretuar dhe se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është i mundur vetëm brenda familjes së përbashkët evropiane”. Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe, ambasadori nënvizon se ndërprerja e dialogut mes vendeve tona ishte shumë e gjatë. “Nuk dua t’ia hedh të gjithë fajin për këtë Shqipërisë, sepse edhe Rusia nganjëherë vepronte në mënyrë jo shumë aktive dhe konkrete. Si pasojë, tani po humbim kohë dhe shumë ngadalë po rivendosim besimin e humbur reciprok”.
Z. ambasador, ju urojmë për festën e 9 Majit! Ju lutem, a mund të na thoni se si po e gjen Rusinë ky 9 maj? Si do ta karakterizonit pozitën e saj aktuale në arenën ndërkombëtare në këtë 70-vjetor të fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste?
Ju faleminderit shumë për urimin! Dita e Fitores mbi fashizmin është një festë e përbashkët e gjithë Evropës dhe e gjithë botës, prandaj më lejoni t’ju uroj edhe ju dhe të gjithë popullin shqiptar për këtë festë të madhe. Në këtë vit të rëndësishëm për vendin tonë, me keqardhje po konstatojmë një acarim në marrëdhëniet me partnerët tanë tradicionalë. Duke disponuar informacione objektive për shkaqet dhe mekanizmat e lindjes së krizës ukrainase, mund të them se, sipas mendimit tim, mediat perëndimore kanë filluar një luftë të vërtetë propagandistike për të frenuar gjeopolitikisht Rusinë përmes diskreditimit të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme dhe të krijimit të imazhit të saj si një vend që kinse shkel të drejtën ndërkombëtare dhe minon themelet e sigurisë evropiane. Siç dihet, vendet perëndimore me në krye SHBA-të, duke përdorur si pretekst kundërshtime në vlerësimin e ngjarjeve në jug-lindje të Ukrainës, kanë vendosur sanksione kundër Rusisë. Veprimet e tilla të kolegëve tanë perëndimorë, të cilat përbëjnë përpjekje për të ndëshkuar vendin tonë për mbrojtjen e së vërtetës dhe të drejtësisë, si edhe për mbështetjen e bashkatdhetarëve, janë destruktive dhe çojnë vetëm në ftohjen e raporteve tona. Është mëse e qartë se Rusia dhe BE-ja janë shumë të ndërvarura si në aspektin e ruajtjes së sigurisë në Evropë, ashtu edhe në fushën politike, humanitare dhe ekonomike. Perëndimi nuk është në gjendje t’u bëjë ballë vetë sfidave të ndryshme, si lufta kundër Shtetit Islamik, krimit të organizuar ndërkufitar dhe trafikut të drogës, si programi bërthamor i Iranit dhe zgjidhja e konfliktit në Siri. Në këndvështrimin tim, në kuadër të dialogut Rusi- Perëndim nuk ekziston asnjë alternativë tjetër, përveç normalizimit të marrëdhënieve. Më 1 prill 2014 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s vendosën për të ulur bashkëpunimin me Rusinë në disa drejtime, duke vazhduar vetëm dialogun politik në kuadër të Këshillit Rusi-NATO. Më vonë, në samitin e NATO-s në Uells, në shtator të vitit të kaluar, aleanca zgjodhi politikën e zgjerimit të prezencës së saj ushtarake afër kufijve rusë. Kjo tendencë e shqetëson shumë palën ruse. Në mënyrë të përsëritur u kemi bërë thirrje partnerëve perëndimorë të kuptojnë që ndryshimi i konfigurimit të forcave në Evropë dhe nxitja e politikës së konfrontimit sjellin si pasojë rreziqe të mëdha dhe vënë në pikëpyetje përpjekjet ndërkombëtare për të përballuar kërcënimet reale që ekzistojnë në botën e sotme. Rusia në mënyrë të vijueshme mbron parimet e një pune kolektive në çështjet ndërkombëtare dhe promovon axhendën paqësore në të mirë të zgjidhjes së problemeve globale, duke u mbështetur në normat kyçe të së drejtës ndërkombëtare, në rolin kryesor koordinues të OKBsë dhe në respektimin e së drejtës së popujve për të vendosur për të ardhmen e tyre në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje nga jashtë. Më mbush me optimizëm se disa vende perëndimore kanë filluar të rishikojnë qëndrimin e tyre kritik ndaj Rusisë dhe kanë dhënë preferencën e tyre në favor të objektivitetit dhe dialogut.
Si do të festohet kësaj here ky përvjetor? Për çfarë do të reflektojë Rusia në këtë moment sipas jush?
Për çdo rus, Dita e Fitores është me të vërtetë një festë e shenjtë dhe e madhe, prandaj do ta festojmë me madhështinë që i takon. Aktivitetet solemne me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura do të zhvillohen në 70 qytete të Rusisë. Ngjarja kryesore e festës do të jetë parada ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës, ku janë ftuar mysafirë të huaj – veteranët, krerët e shteteve dhe qeverive dhe ministrat e Mbrojtjes të dhjetëra vendeve. Po ashtu, në festë janë ftuar shefat e të gjitha misioneve të huaja diplomatike të akredituara në Moskë. Në paradë planifikohet pjesëmarrja e njësive ushtarake të shumë vendeve. Një program i posaçëm i aktiviteteve është përgatitur për veteranët e Luftës së Dytë Botërore nga 23 vende të huaja. Gjithashtu, bashkë me aleatët tanë kryesorë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive dhe Bashkësia e Shteteve të Pavarura kemi planifikuar aktivitete të mëdha në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, OSBE-së dhe KE-së me rastin e 70-vjetorit të Fitores. Duke festuar jubileun e Fitores së Madhe, ne jo vetëm ua njohim heroizmin ushtarëve që çliruan botën nga fashizmi, por edhe rikonfirmojmë rëndësinë shumë të madhe të vendimeve historike, të cilat vunë themelet e sistemit ndërkombëtar të pasluftës, përfshirë këtu sigurisht edhe OKB-në. Për fat të keq, sot e kësaj dite ka shumë njerëz që spekulojnë rreth temave historike dhe synojnë të shtrembërojnë ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, t’i ndajnë popujt dhe t’i fusin ata në grindje me njëri-tjetrin, si edhe të përdorin spekulime historike në lojërat gjeopolitike. Në kushte të tilla duhet të kuptojmë se falsifikimi i historisë dhe rishikimi i rezultateve të luftës nuk janë gjë tjetër, veçse përpjekjet për të minuar vlerat evropiane dhe mbarëbotërore.
Për çfarë do të reflektojë Rusia më 9 maj?
Do të reflektojë për atë çmim të paimagjinueshëm që populli rus ka paguar për të mbrojtur të drejtën për të vazhduar ekzistencën e tij. Betejat e ashpra, bombardimet, kampet e përqendrimit, torturat, vrasjet masive, uria, miliona viktima dhe vdekja që për katër vite u bë pjesë e jetës së përditshme. E gjithë kjo ishte me të vërtetë një tragjedi kolosale. Në Rusi asnjë familje nuk ngeli e paprekur nga Lufta e Dytë Botërore. Çdo familje nderon kujtimin e heronjve të vet, shumë nga të cilët nuk u kthyen kurrë në shtëpi nga fusha e betejës. Mijëra familje thjesht pushuan së ekzistuari. Në Rusi është ende i gjallë kujtimi i atyre ngjarjeve të tmerrshme dhe mund t’ju siguroj se përkushtimi kryesor i popullit rus është që të shmanget përsëritja e një katastrofe të tillë në të ardhmen.
Si do ta komentonit mospjesëmarrjen e shumë prej udhëheqësve botërorë në aktivitetet që Rusia do të organizojë këtë 9 maj me rastin e Ditës së Fitores?
Në këtë kuadër kemi edhe një incident të ndodhur midis presidentit çek dhe ambasadorit amerikan në Çeki rreth pjesëmarrjes në këto evente. Të marrësh apo të mos marrësh pjesë në evente festive me rastin e Ditës së Fitores në Moskë është çështje personale e çdo të ftuari. Do të respektojmë çdo lloj vendimi, por nuk mund të lejohet politizimi i kësaj çështjeje. Se shumë udhëheqës deklarojnë hapur se refuzojnë të shkojnë në Moskë pikërisht për motive politike. Ata lëshojnë akuza të pabaza ndaj Rusisë për goja pjesëmarrjen në konfliktin ukrainas dhe në mënyrë të pakuptueshme e lidhin këtë me festën e Fitores sonë të përbashkët mbi fashizmin. Jam i bindur se në kushtet aktuale të marrëdhënieve të tensionuara mes Rusisë dhe Perëndimit, përvjetori i Fitores mund dhe duhet të shërbejë si një faktor bashkues, pasi kjo është festa jonë e përbashkët. Nuk duhet të humbim një rast aq të mirë për t’u takuar dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, jo të gjithë partnerët tanë ndajnë të njëjtin mendim me ne. Për shumë nga ata përfitimi politik i momentit dhe lavdërimi nga ana e përkrahësve janë më të rëndësishme sesa kujtimi i luftës së tmerrshme. Për sa i përket incidentit mes Presidentit të Çekisë, Milos Zeman dhe ambasadorit amerikan në Pragë, Andrew Shapiro, doja të kujtoja se një nga parimet kryesore të diplomacisë është parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendit të qëndrimit. Ky parim u shkel rëndë nga ambasadori i SHBA-ve. Kjo është e papranueshme.
Si do ta vlerësonit vizitën e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, në Moskë dhe takimin e tij me z. Putin? Pse pikërisht tani? Interes grek?
Midis Rusisë dhe Greqisë ka lidhje të ngushta shpirtërore, kulturore dhe historike. Greqia është një nga vendet e pakta të BE-së që u shpreh në mënyrë të përsëritur kundër sanksioneve antiruse. Në këtë kontekst, kjo vizitë kishte një rëndësi të veçantë për të dyja palët, jo vetëm për Greqinë. Shumë pritën nga kjo vizitë sensacione dhe marrëveshje të guximshme. Dikush e lidhi këtë udhëtim me situatën e vështirë ekonomike në Greqi. Mendoj se kjo vizitë ishte e domosdoshme për të shkëmbyer opinione mbi situatën aktuale politike në arenën ndërkombëtare dhe në këtë kuptim ishte shumë e suksesshme. Siç dihet, edhe kryeministri Tsipras, edhe presidenti Putin i vlerësuan lart rezultatet e këtij takimi. Personalisht mua më mbeti në kujtesë deklarata e kryeministrit grek, e lëshuar në përfundim të takimit me Putinin, ku theksoi se Greqia është një vend sovran, i cili ka të drejtë të pamohueshme për të ndjekur një politikë të jashtme të shumanshme, si edhe për të përdorur rolin e saj si një shtet evropian, mesdhetar dhe ballkanik. Duket qartë se zoti Tsipras e kupton shumë mirë se çfarë i duhet vendit të tij. Si rrjedhojë, Athina është e përkushtuar për të rritur eksportin grek në Rusi dhe për të arritur heqjen e embargos ruse për disa prodhime greke. Gjithashtu, Greqia shfaq dëshirën për të tërhequr investime ruse në ekonominë e vendit, në fushat e turizmit dhe infrastrukturës. Veç kësaj, është e gatshme të marrë pjesë në projektet ruse të gazit në rajonin e Ballkanit. Jam i bindur se një tendencë e tillë e liderit grek ofron një shembull të qartë të një qëndrimi konstruktiv ndaj zhvillimit të marrëdhënieve me përfitim të ndërsjellë të një vendi sovran me partnerët e tij të huaj.
Cili është komenti juaj lidhur me deklaratën e fundit të kryeministrit Rama se Shqipëria do të bashkohet me Kosovën në BE ose me metodën klasike?
Sigurisht që unë i ndjek me vëmendje deklaratat e zotit Rama mbi çështjet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Nuk mund të mos vësh re se muajt e fundit deklaratat kritike të kryeministrit shqiptar ndaj Brukselit bëhen gjithnjë e më të forta. Kulmi i kësaj retorike ishte deklarata e lartpërmendur që Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen “në mënyrën klasike”, nëse BE-ja nuk do të përshpejtojë proceset e integrimit evropian në rajon. Pa dyshim, çdo aludim për ndryshim kufijsh në Ballkan duhet të ngjallë shqetësim. Jam dakord me liderët shqiptarë se sot vendet e Ballkanit duhet të përfitojnë në mënyrë sa më efektive nga paqja në rajon. Këtu janë ende të gjalla në kujtesë ngjarjet tragjike që vijuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe jam i bindur se askush nuk do përsëritjen e tyre. Prandaj, jam i sigurt se zoti Rama u shpreh jo tamam ashtu siç donte, aq më tepër se zyrtarët në Tiranë, duke përfshirë zëvendësministren e Jashtme, znj. Barbullushi dhe vetë ministrin Bushati, pohuan se fjalët e kreut të qeverisë ishin keqinterpretuar dhe se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është i mundur vetëm brenda familjes së përbashkët evropiane. Moska është e interesuar për ruajtjen e stabilitetit dhe klimës së fqinjësisë së mirë në Ballkan. Dhe jam plotësisht dakord me komentet zyrtare edhe të Brukselit, edhe të MPJ-së së Rusisë që duhet të shmangësh deklarata provokuese dhe të përqendrohesh te zgjidhja e problemeve konkrete brenda vendit.
Çfarë keni mbajtur shënim nga takimet më të fundit me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare? Dhe a do të kemi ndonjë lëvizje në bashkëpunimin dypalësh?
Gjatë qëndrimit tim në Tiranë zhvillova takime pothuajse me të gjithë ministrat e qeverisë shqiptare. Përfaqësuesi i parë i qeverisë, me të cilin u takova që në shtator të vitit të kaluar ishte ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Haxhinasto. Takimi i fundit u mbajt në prill me ministren e Mbrojtjes, znj. Kodheli. Një dialog aktiv, ambasada ka me ministrin e Bujqësisë, z. Panariti. Më vjen mirë të konstatoj që të gjithë ministrat shqiptarë, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, shfaqën dashamirësi dhe gatishmëri për të komunikuar dhe për të diskutuar mbi çështje nga më të ndryshmet lidhur si me marrëdhëniet rusoshqiptare, ashtu edhe me sfidat ndërkombëtare. Dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Por, për fat të keq, ndërprerja e dialogut mes vendeve tona ishte shumë e gjatë. Nuk dua t’ia hedh gjithë fajin për këtë Shqipërisë, sepse edhe Rusia nganjëherë vepronte në mënyrë jo shumë aktive dhe konkrete. Si pasojë, tani po humbim kohë dhe shumë ngadalë po rivendosim besimin e humbur reciprok, duke shkëmbyer informacione rreth mundësive, ideve, planeve dhe ambicieve tona. Megjithatë, ky është një proces objektiv dhe i pakthyeshëm, i cili do të vazhdojë me patjetër. Dhe jam i gëzuar se Ambasada e Rusisë gjen mbështetjen e ministrave shqiptarë dhe udhëheqësve të tjerë në angazhimin e saj për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet ruso-shqiptare. Ne i shohim me optimizëm perspektivat e aktivizimit të lidhjeve tona në fusha të ndryshme. Shpresat e caktuara i mbështesim te rifillimi i punës, pas një periudhe gati 5-vjeçare, të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik, Shkencor dhe Teknik. Para pak kohësh janë emëruar bashkëkryetarët e komisionit nga të dyja palët dhe tani po punohet intensivisht për përgatitjen e sesionit të tij të radhës.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: