Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, është takuar me emisarin special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.

Ai në një postim në Twitter ka theksuar se marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik duhet të plotësojë procesin e tanishëm të dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

“I kënaqur për takimin me Lajçak për të diskutuar interesat e përbashkëta në dialogun në vazhdim. Marrëveshjet e Uashingtonit plotësojnë këtë proces të udhëhequr nga BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta – normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar diplomati amerikan.

Gjatë vizitës në Kosovë, dje dhe sot, Lajçak ka takuar krerët e shteti dhe liderët e partive politike.

Në Bruksel kanë thënë se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd për të diskutuar “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kosova ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e këtij Asociacioni, por Serbia insiston që të bisedohet për të.

Formimi i tij është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb