TIRANE- Më shumë kultivim kanabisi gjatë qeverisë Berisha apo në Qeverinë aktuale? Kësaj pyetje i është përgjigjur sot ambasadori i SHBA në vendin tonë, Donald Lu. Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të gazetarisë, ambasadori Lu tha se të dyja, edhe qeveria e kaluar edhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës. Por ai shkon edhe më tej, duke u shprehur se ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka nxitur qeverinë e Shqipërisë dhe Policinë e Shtetit që të bëjë më shumë në luftën kundër trafikut të narkotikëve. Agjencia për Luftën Kundër Drogës e SHBA (DEA) punon ngushtë me Policinë e Shtetit të Shqipërisë për të luftuar trafikimin e drogës, me fokus të posaçëm tek trafikimi i heroinës dhe kokainës. Programi ynë ICITAP i asistencës për policinë për disa vite ka zhvilluar një kamp veror që ndihmon të rinjtë t’i thonë jo drogës. Ne, qeveria e SHBA përgëzojmë përpjekjet e Guardia di Finanza të Italisë për përpjekjet e tyre për të eliminuar prodhimin e kanabisit.

Ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë më shumë për këtë problem të përbashkët që kemi bashkë me Shqipërinë, sepse e dimë që ky problem ndihmon për të krijuar probleme të tjera me korrupsionin, krimin e organizuar dhe varësinë nga droga. Pyetja që kam disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”, është shprehur ambasadori Lu

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: