Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka uruar edhe njëherë qytetarët e Kosovës për mbajtjen e suksesshme dhe të qetë të zgjedhjeve, ndërsa ka nxitur partitë fituese të formojnë qeverinë shpejt dhe me efikasitet.

Kosnett me rastin e pranimit të gjyqtarëve të rinj në Akademinë e Drejtësisë tha se nuk ka kohë për të humbur kur dihet që qeveria e re përballet me shumë sfida dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë qeveri efikase që e përmbush mandatin e saj të plotë.

MESAZHI
Dëshiroj të uroj popullin e Kosovës për mbajtjen e suksesshme dhe të qetë të zgjedhjeve. Edhe një herë populli e tha fjalën e vet. I nxis partitë fituese të formojnë qeverinë shpejt dhe me efikasitet. Nuk ka kohë për të humbur kur dihet që qeveria e re përballet me shumë sfida. Qytetarët e Kosovës meritojnë qeveri efikase që e përmbush mandatin e saj të plotë.

Asnjë sfidë nuk është më urgjente dhe më e rëndësishme se luftimi i pandemisë. Edhe unë, sikurse edhe ju, do të kisha pasur dëshirë të jem aty, por pandemia nuk ka lëshuar pe, prandaj nuk duhet as ne. Duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm dhe syçelur. Për keqardhje, nuk e kemi parë të njëjtën shkallë të kujdesit nga politikanët dhe qytetarët e Kosovës në javët para zgjedhjeve.

Nuk është e nevojshme t’jua përkujtoj se tubimet e mëdha me pjesëmarrës pa maska do të përkeqësojnë krizën tashmë të rëndë të shëndetit publik. Në këtë vazhdë, i përgëzoj qytetarët e Kosovës dhe vëzhguesit e zgjedhjeve që e sfiduan pandeminë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar duke bartur maskë dhe duke marrë masat e tjera të nevojshme.

Si procesi zgjedhor, ashtu edhe gjyqësori i pavarur, i mishëruar në kushtetutat e dy vendeve, SHBA-së dhe Kosovës, është shtyllë kryesore e demokracisë. Gjyqësori i pavarur, gjyqësori që nuk i nënshtrohet presionit politik, është thelbësor për respektimin e sundimit të ligjit.

Ju, si gjykatës, keni fuqinë për të zbatuar dhe gjykuar, por kjo duhet të rrënjoset në prova dhe në vetë ligjin. Në punën tuaj, ju duhet të lini mënjanë gjithçka që mund të shpërqendrojë ose t’ua tërheqë vëmendjen nga ndjekja e drejtësisë dhe sigurimi i një sistemi të drejtë për popullin e Kosovës. Kjo nuk është detyrë e lehtë dhe kërkon guxim. Guxim për të lënë anash zhurmën politike. Guxim për të vepruar bazuar në ligj, jo sipas bindjeve tuaja personale ose politike.

Siç e dini, Shtetet e Bashkuara rishtazi u ballafaquan ndoshta me krizën më të rëndësishme kushtetuese në dekada, sigurisht të paktën në brezin tim. Në Shtetet e Bashkuara, shumë njerëz kishin shqetësime se Gjykata Supreme mund të merrte një vendim bazuar në bindjet politike. Kishte spekulime se Gjykata Supreme, e cila tani ka shumicë gjyqtarësh të emëruar nga presidentët republikanë, do t’ia dorëzonte zgjedhjet Presidentit në largim, përkundër paaftësisë së mbështetësve për të paraqitur dëshmi të mashtrimit të përhapur. Megjithatë, gjyqtarët injoruan zhurmën, u përqendruan në punën e tyre dhe morën vendime duke interpretuar ligjin.

Kjo ndodhi jo vetëm në Gjykatën Supreme, por edhe në gjykatat më të ulëta në të gjithë vendin. Gjykatat e ulta ruajtën pavarësinë e tyre gjatë gjithë ciklit zgjedhor dhe vazhdimisht hodhën poshtë pohimet e pretenduara të mashtrimit në zgjedhje kur paditësit nuk arritën të mbështesin pohimet e tyre. Kur aktivistët politikë u përpoqën të ngrinin këto akuza në Gjykatën e Lartë, përfundimisht ajo vendosi unanimisht të lërë çështjet dhe vendimin në gjykatat më të ulëta.

Kjo nuk është hera e parë kur gjyqësori i pavarur ka shërbyer si kontroll i politikës. Historia e SHBA-së është e mbushur me shembuj të gjyqësorit që mbron demokracinë tonë të kahershme. Le të marrim për shembull, Brown kundër Bordit të Edukimit të Topekas, një çështje e rëndësishme e Gjykatës së Lartë e vitit 1954, ku gjyqtarët vendosën unanimisht se ndarja racore e fëmijëve në shkollat publike ishte antikushtetuese. Me këtë vendim u vendos që të gjithë fëmijët në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht nga raca, duhet të kenë mundësi të barabarta arsimore. Kjo na solli një hap përpara drejt synimit ende të papërfunduar që të gjithë qytetarët të jenë “të barabartë sipas ligjit”.

Shembuj të gjyqësorit të pavarur mund të gjejmë edhe në Kosovë – raste kur gjyqtarët kanë treguar guxim dhe kanë ushtruar pushtetin e tyre përkundër presionit politik për të marrë vendim tjetër. Një shembull i tillë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që përfshin ish-Presidenten e Kosovës, Jahjaga. Gjykata i rezistoi presionit të madh dhe mbështeti parimin themelor demokratik të mosveprimit retroaktiv.

Besimi dhe besueshmëria e publikut tek ju si gjykatës për të vepruar të pavarur nga politika do të jetë themeli që puna juaj të shkojë përpara. Sot, ndërsa po pranoheni si gjykatësit më të rinj të Kosovës, ju bëheni kujdestarët e besimit dhe besueshmërisë së publikut dhe rojet e demokracisë së Kosovës.

Veprimet tuaja të ardhshme individuale dhe kolektive do të reflektojnë jo vetëm mbi ju, por në të gjithë sistemin gjyqësor; dhe madje do të shtrihen deri në atë se si perceptohet Kosova si vend ndërkombëtarisht. Në disa vite, mund të jenë çështjet tuaja të ardhshme që po ju referohem si shembuj të gjyqësorit të pavarur.

Kur iu drejtova prokurorëve gjatë Konferencës Vjetore të mbajtur në janar, unë i sfidova prokurorët e Kosovës për t’i jetësuar standardet më të larta të integritetit, transparencës dhe për të përqafuar llogaridhënien. Sot, të njëjtën gjë e kërkoj nga ju. Kërkoni nga vetja, nga stafi, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Shërbeni si shembull në jetën tuaj profesionale dhe personale. Guximi, paanësia dhe transparenca juaj gjatë gjykimit të çështjeve do të jenë pasqyrimi më i mirë i integritetit dhe besueshmërisë suaj për publikun.

Me pranimin në Akademinë e Drejtësisë, ju jeni duke arritur majën e një sipërmarrjeje të madhe. Në rrugë e sipër, kur përballeni me vendime të vështira dhe potencialisht jopopullore, mosveprimi i gjykatës mund të duket mënyra më e përshtatshme. Por, jeni ju që e mbani demokracinë e Kosovës në duart tuaja. Ju keni përgjegjësinë e madhe për ta mbrojtur dhe ushqyer atë për qytetarët e tashëm dhe të ardhshëm të Kosovës.

Siç tha gjykatësi i Gjykatës Supreme të SHBA-së, Anthony Kennedy, një herë kur u përball me një vendim të vështirë që vendosi përfundimisht një zgjedhje në ShBA-së: “Ndonjëherë është e lehtë … të ushtrosh prestigjin tënd duke mos ushtruar përgjegjësinë tënde, por kjo nuk ka qenë tradita e [kësaj] gjykate”.

Ndërsa filloni trajnimin tuaj sot, unë do të doja të përfundoja fjalimin tim duke nxitur Akademinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e arsimimit tuaj, si dhe të prokurorëve dhe stafit të gjykatave. Vetëm instruktorë me përvojë të gjatë dhe njohuri të madhe duhet të japin mësim në Akademi, sepse ata po e ushqejnë brezin e ardhshëm të rojeve të demokracisë së Kosovës. Vetëm përmes arsimimit, reflektimit dhe zbatimit të mësimeve të nxjerra, sistemi mund të përmirësohet vit pas viti. Ju nxis të zbatoni rekomandimet e rishikimit funksional përderisa e reformoni Akademinë e Drejtësisë – kjo do t’ju sigurojë që të keni ndikim të gjerë.

Me të gjitha turbullirat politike që janë përballur kohët e fundit dy vendet tona, unë jam krenar që demokracitë tona të gjalla ende qëndrojnë të forta. As Shtetet e Bashkuara me demokracinë e saj shekullore, as Kosova me demokracinë e saj të sapolindur, nuk janë imune ndaj presionit politik. Por për sa kohë që gjyqësorët tanë janë të pavarur dhe çdo brez i ri zotohet të mbështesë sundimin e ligjit, ne qëndrojmë në tokë të fortë.

Edhe një herë, urime gjykatësve më të rinj të Kosovës. Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb