Shqipëria duhet të bëjë dallimin mes luftëtarëve shqiptarë të ISIS dhe familjeve të tyre që ndodhen nëpër kampet e Sirisë deklaron ambasadori i Izraelit në Shqiperi Noah Gal Gendler në një intervistë për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News24. Gendler nuk e përjashton rrezikun që vetë luftëtarët përbëjnë pas kthimit në vendet e origjinës. “Mendoj se duhet të bëni dallimin mes familjeve dhe luftëtarëve. Familjet e tyre mund t’i ktheni në Shqipëri duke parë se cili është qëndrimi i tyre, ndërsa për luftëtarët mendoj se është një detyre e rrezikshme sepse nëse këta njerëz kthehen dhe nuk paguajnë çmimin për aktet e tyre, është ekstremisht e rrezikshme” deklaron ambasadori i Izraelit në Shqipëri.

Sipas diplomatit Izraelit, lufta kundër terrorizmit është një detyrë ndërkombëtare. Sipas tij një vend i vetëm nuk mund ta realizojë atë.

“Në momentin që bota do të unifikohet duke ecur së bashku kundër ekstremizmit, do të mund të kemi sukses. Une e di këtë sepse në vendin tim për shumë vite e kemi luftuar të vetëm ekstremizmin dhe kemi pasur sukses, por nëse i gjithë komuniteti ndërkombëtar bashkohet do të shmangim sulmet terroriste dhe ekstremizmin” deklaron ambasadori Gendler.

Duke u ndalur tek çështja e dëbimit të dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria, ambasadori Izraelit deklaron se Irani është i përfshirë në terrorizëm në të gjithë botën. “Ky nuk është ndonjë sekret. Përpara se të vija në Shqipëri isha ambasador në Kenia dhe e njëjta gjë ndodhi edhe atje. Lufta kundër terrorizmit duhet të jetë një përpjekje ndërkombëtare. Shqipëria duhet të jetë pjesë e saj, Izraeli gjithashtu duhet të jetë pjesë e saj. Ne e dimë cilët janë armiqtë dhe e dimë cilat janë zgjidhjet” deklaroi Ambasadori Izraelit në Shqipëri Noah Gal Gendler.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb